TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një paketë e re masash ekonomike, që prek pensionistët, punonjësit, fermerët, familjet me fëmijë dhe bizneset, shpalli mbrëmjen e së shtunës kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, në fjalimin tradicional për hapjen e Panairit të 90-të Ndërkombëtar të Selanikut.
Paketa për vitin 2027 vlerësohet në rreth 1.8 deri në 2 miliardë euro, ndërsa një pjesë e masave do të zbatohet gradualisht deri në vitin 2030.
Konkretisht, pensionistët mbi 65 vjeç, personat me aftësi të kufizuara dhe të moshuarit e pasiguruar do të marrin, duke nisur nga 30 nëntori i këtij viti, një ndihmë të përhershme vjetore prej 400 eurosh, 100 euro më shumë se aktualisht.
Një tjetër masë parashikon kthimin e një pjese të qirasë. Më 30 nëntor do të bëhet rimbursimi në vlerën e një qiraje mujore për vitin 2025, ndërsa mjekët, infermierët dhe mësuesit që shërbejnë në zonat periferike do të përfitojnë një mbështetje në masën e dy qirave mujore.
Në sektorin privat, paga minimale do të rritet gradualisht nga 950 euro në prill të vitit 2027, në 1,000 euro bruto deri në janar të vitit 2028. Ndërkohë, kontributet që paguan punonjësi do të ulen me 0.5%.
Edhe nëpunësit e shtetit do të përfitojnë masa të reja. Nga dhjetori i vitit 2027, ata do të marrin për herë të parë pas më shumë se një dekade një bonus Krishtlindjesh prej 500 eurosh bruto. Pagat e tyre do të rriten gjithashtu gradualisht me rreth 80 euro bruto në muaj deri në fillim të vitit 2028.
Lehtësime të rëndësishme janë parashikuar edhe për fermerët. Profesionistët e këtij sektori me të ardhura deri në 20 mijë euro në vit nuk do të paguajnë tatim mbi të ardhurat.
Masat fiskale do të prekin edhe familjet. Familjet me tre fëmijë do të përjashtohen nga tatimi për të ardhura deri në 20 mijë euro, ndërsa për familjet me katër ose më shumë fëmijë do të rritet edhe bonusi i lindjes.
Një tjetër masë e shpallur është programi “Kursimi për Brezin e Ri”. Prindërit do të mund të depozitojnë deri në 1,200 euro në vit në një llogari për fëmijën, ndërsa shteti do të shtojë të njëjtën shumë. Fondet nuk do të mund të tërhiqen deri në moshën 18-vjeçare.
Sipas skemës së prezantuar, në moshën 18-vjeçare ky fond mund të kalojë 60 mijë euro dhe të përdoret për hapjen e një biznesi apo për studime.
Për strehimin do të nisë programi i ri “Shtëpia ime 3”, me një fond prej 2 miliardë eurosh. Qeveria greke premton gjithashtu një ulje graduale me 30% të çmimit të energjisë elektrike në tregun me shumicë deri në vitin 2029.
Në kuadër të masave për frenimin e blerjeve të huaja në tregun e banesave, veçanërisht në zonat ku çmimet dhe qiratë janë rritur ndjeshëm, për qytetarët nga vende jashtë Bashkimit Europian, si Kina, Turqia apo Izraeli, taksa për blerjen e një banese do të rritet nga 3% në 15%.
Nga marsi i vitit 2027 do të hiqet gjithashtu taksa e pronës së paluajtshme, ENFIA, për banesat në vendbanime me deri në 2,000 banorë dhe deri në 2,200 banorë në Maqedoninë Perëndimore.
Mitsotakis e paraqiti paketën si një pjesë të “dividendit të rritjes” së ekonomisë greke, në një periudhë kur kostoja e jetesës dhe fuqia blerëse mbeten ndër shqetësimet kryesore të qytetarëve.