AKTUALITET, 6 Prill 2020, 11:33

MSH: Ja pse janë rritur rastet në Shkodër, Tiranë dhe Has

MSH: Ja pse janë rritur rastet në Shkodër, Tiranë dhe Has


Ministria e Shëndetësisë ka përditësuar situatën nga koronavirusi në Shqipëri, duke bërë të ditur se numri i personave të prekur ka shkuar në 377, nga të cilët 21 kanë humbur jetën.

Rastet e reja në 24 orët e fundit ishin 16, ndërsa në total deri tani janë shëruar 116 persona.

Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë, Durrës, Fier, Has, Berat dhe Shkodër.

Zëvendësministrja Mira Rakacolli shpjegoi shtimin e rasteve në disa qytete.

"Siç shihet, kemi një rritje të numrit të rasteve kryesisht në Shkodër, Tiranë dhe Has, që tregon edhe njëherë mos respektimin e distancimit social dhe masave të kontrollit të infeksionit që Ministria e Shëndetësisë vijon të rekomandojë çdo ditë në komunikimet publike.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social.

Siç e tregojnë edhe shifrat e ditëve të fundit, ku ka raste brenda të njëjtës familje, është e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye për të parandaluar transmetimin e COVID-19," tha ajo.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:

- Tiranë 177 raste

- Durrës 38 raste

- Lushnje 5 raste

- Elbasan 10 raste

- Fier 26 raste

- Kavajë 8 raste

- Rrogozhinë 4 raste

- Korçë16 raste

- Vlorë 5 raste

- Shkodër 44 raste

- Lezhë 14 raste

- Berat 2 raste

- Has 12 raste

- Krujë 5 raste

-Tropojë 4 raste

- Pukë 4 raste

- Mirditë 3 raste