AKTUALITET, 18 Prill 2018, 17:23

Mogherini në Tiranë, Rama sfidon prokurorët për prova të reja mbi Tahirin

Eshtë ende herët për të festuar në kryeministri, por Rama dhe Mogherini nuk i rezistuan dot nuancve të triumfalizmit gjatë dorëzimit të rekomandimit pozitiv për hapjen e negociatave me BE nga Komisioni Europian.

Pasi doli nga presidenca herët në mëngjes, shefja e diplomacisë europiane eci në këmbë drejt godinës ku e priti Edi Rama. E shoqëruar nga shpura e zyrtarëve të delegacionit të BE në Tiranë, e rrethuar nga kamerat dhe fotografët që fiksuan parakalimin, Mogherini përsëriti të njëjtën xhiro që bën Rama në momentet e dekretimit të qeverisë.

Para gazetarëve, të dy e përshkruan rekomandimin pozitiv, si krejtësisht të merituar për Shqipërinë. Të dy dolën krenarë nga takimi, ndërsa Mogherini e nisi deklaratën e saj në shqip.

“Urime!” ishte fjala e parë e saj në shqip, për të vazhduar më pas në italisht: Jam veçanërisht krenare që sjell sot vendimin që mori dje Komisioni Europian për të dhënë rekomandimin pozitiv, të parin në historinë e Shqipërisë në mënyrë që Këshilli Europian të nisë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian”

Kryeministri nuk u shfaq euforik. Deri në qershor, rreziku që rekomandimi i KE-së të refuzohet është konstant dhe fajtorët, Rama i ka gati që sot.

Për të përshkruar “armiqtë e jashtëm”, Rama foli për “kohë jo të favorshme në BE ku skeptikët na shohin dhe na përdorin si mish për top kur ua lyp interesi për politikën e tyre të brendshme”.

Për “armiqtë e brendshëm”, kryeministri ishte më i qartë, kur i bëri ftesë opozitës “të mos bashkëpunojnë me asnjë faktor të huaj që për interesa të veta do ta përdorë këtë. Të mos ushqejë zyra deputetësh sa andej këtej me gënjeshtra, të mos eksportojnë mllefin e brendshëm politik.

Por i pyetur direkt nga gazetarët, nëse çështja Tahiri mund të bëhet pengesë që disa shtete të BE të mos e miratojnë rekomandimin e Brukselit për të hapur negociatat me Shqipërinë, Rama ka bërë një deklaratë që tingëlloi si sfidë, apo si ftesë drejtuar Prokurorisë së Krimeve të Rënda nuk ka sjellë prova të reja për Saimir Tahirin.

“Në procesin e Saimir Tahirit, kuvendi dhe shumica qeverisëse ka zbatuar në frymë dhe në gërmë gjithcka Komisioni i Venecias ka nënvizuar lidhur me rastet kur një komision i posaçëm në parlament thirret në detyrë për të trajtuar çështjen e arrestit apo masat e parashikuara për një deputet. E kam thënë që ditën e parë dhe unë e përsëris, meqë më pyetët, ne po presim që Prokuroria e Krimeve të Rënda të rikthehet me të paktën një provë, jo dhjetë, por një provë të vetme. Dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda është larg të qënit një trupë që mund të konsiderohet e influencueshme nga shumica, nëse teorikisht mund të pranojmë spekullime për influencën” tha Rama.

Prej kohësh në qarqe diplomatike, sidomos ato gjermane po qarkullon opsioni se pa arrestimit e ish krahut të djathtë të kryeministrit nuk do të ketë hapje negociatash. Madje ai i është thënë në rrugë zyrtare dhe private edhe vetë Edi Ramës. ©Lapsi.al