AKTUALITET, 20 Korrik 2020, 22:42

Mjeku Sulçebe: S’mund të presim imunitetin e tufës, duhen masa për parandalimin e infeksionit

Mjeku Sulçebe: S’mund të presim imunitetin e tufës, duhen

Mjeku imunolog, Genc Sulçebe, i cili është dhe një nga autorët e studimit më të fundit nga Akedemia e Shkencave ka folur sot për situatën e COVID-19 në vend. Në një intervistë në Euronews, Sulçebe u shpreh se agresiviteti i virusit COVID-19 nuk është zbutur sepse jemi ende larg imunitetit të tufës.

Sulçebe shton se nga të dhënat e studimit u arrit në përfundimin se nuk mund t’ia lëmë dot spontanitetit arritjen e të ashtuquajturit imunitet i tufës, i cili është një proces i gjatë, por duhen marrë masa për të ndaluar përhapjen e infeksionit.

“Ne presim vazhdim të përhapjes së infeksionit. Imuniteti i tufës është një proces biologjik që me këtë ritëm, në mënyrë spontane do shumë kohë. Tashmë kemi një rritje progresive të përhapjes së infeksionit, çka rrit problematikën.

Nuk ja lëmë dot spontanitetit, duhen marrë masa për të ndaluar përhapjen e infeksionit, siç është testimi masiv, gjurmimi i kontakteve, mbajtja e maskave, duhet menduar si mundësi dhënia falas e maskave për ata që nuk kanë mundësi t’i sigurojnë. Lënia spontane drejt imunitetit të tufës ka pasoja të rënda”, shtoi mjeku.

Akademia e Shkencave ka kryer një studim në lidhje me imunitetin e popullatës 5 muaj pas shpërthimit të COVID-19. Sipas studimit, deri në qershor, infeksioni në komunitet është përhapur me shpejtësi, duke qenë larg imunitetit të tufës. Studimi u krye nga akademiku Genc Sulçebe dhe Prof.dr, Alban Ylli në shërbimin e imunologjisë pranë QSUT.