AKTUALITET, 22 Korrik 2018, 19:23

Ministri gjerman mesazh politikës shqiptare: Merrni përgjegjësitë, mos rrezikoni rrugën drejt BE!

Ministri gjerman mesazh politikës shqiptare: Merrni

Ashtu siç ishte paralajmëruar, ministri i Shtetit për Çështje Evropiane në Ministrinë e Jashtme gjermane, Michael Roth ka zhvilluar sot një takim me homologun e tij shqiptar, Ditmir Bushati.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp, Bushati dhe ministri gjerman folën për reformat dhe kushtet që duhet të plotësojë Shqipëria në kuadër të çeljes së negociatave me BE.

Ministri gjerman dha një mesazh të qartë për politikën shqiptare, që ajo të marrë përgjegjësitë që i takojnë në mënyrë që sipas tij të mos rrezikojnë rrugën e vendit drejt BE.

“Kam ardhur të përgëzoj Shqipërinë për sukseset. Shqipëria, në rrugën e duhur drejt anëtarësimit pasi ka marrë nga KE rekomandim pozitiv. Jam i bindur që Shqipëria do të vijojë reformat. Vettingu deri tani ka qenë procesi i suksesshëm. Funksionimi i procesit gjyqësor, me rëndësi. Këtu bëhet fjalë për krijimin e një sistemi të fortë drejtësie. Merrni përgjegjësitë tuaja që të mos rrezikoni rrugën e Shqipërisë drejt BE. Duhet të jeni të vendosur në rrugën e reformave”, tha Roth.

Ndërkohë, ministri Bushati pohoi se ky vit nuk është i lehtë për Shqipërisë, e cila duhet të punojë për plotësimin e kushteve për BE.

“Dëshiroj të falënderoj personalisht juve dhe qeverinë gjermane, për mbështetjen e pakursyer që i keni dhënë Shqipërisë, jo vetëm në procesin e vështirë, por edhe për diskutimet dramatike që u zhvilluan në Luksemburg. Vendi juaj ishte pjesë e asaj maxhorance të madhe të BE për nisjen e bisedimeve te Shqipërisë. Hahn sëbashku me qeverinë Shqiptare hodhi hapin e parë në procesin e skrining, dhe dua të përfitoj nga rasti për të nënvizuar rëndësinë e madhe që ka ky proces. Ndamë pikëpamjen se viti që është para nesh nuk është i lehtë, por një rrugë e vështirë”, tha Bushati.