AKTUALITET, 8 Nëntor 2020, 20:43

“Minishengeni” i Ramës dhe Dik Marti vs. Programi Biden-Harris për Shqipërinë

Kryeministri Rama u shfaq papritur dhe sulmoi Metën dhe Bashën në lidhje me një personazh të harruar, Dik Martin (njeriu që bëri raportin kundër Thacit dhe UÇK-së) . Ai akuzoi këta se kanë votuar pro këtij raporti në Këshillin e Evropës, madje Bashën e nxori si prokuror që paska bërë dosjen.

Përse i duhej vëmendja në këtë drejtim, në kohën kur të gjithë diskutojnë ose Covidin, ose fitoren e Biden? Sigurisht, nuk është jashtë aktualitetit. Me këtë sulm kërkohet të vizatohet një  figurë e një “lideri të fuqishëm rajonal” i aftë të tërheq vëmendjen e Presidentit të ri të SHBA, Biden. Duke e njohur qëndrim e Biden kundër Serbisë, Rama po i jep vetes ngjyrat që duhen për tu transformuar nga bashkëpunues i Vuçiçit, në një mbrojtës të vlerave të UÇK-së. Kjo është në funksion edhe të zhurmës për aksionin rajonal që po bën për “Minishengrenin ballkanik”. Të hënën Rama do të jetë me dy kolegët e ish-Jugosllavisë, njësoj si radhën e kaluar, pa Kosovën.

“Minishengeni” është një përpjekje afatgjatë ku Rama është angazhuar totalisht, ashtu si edhe tek orvatja për ndarjen e veriut të Kosovës. Të dyja, përmes kanaleve diplomatike dhe lobimeve, u vunë mbi tavolinën e presidentit Trump. Ndarja u rrëzua si opsion bashkë me këshilltarin e sigurisë së Trumpit, ndërsa Minishengeni rezistoi, madje u fut në marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë, pak javë më parë në Shtëpinë e Bardhë. Rama e ka shitur si idenë e tij “minishengenin “ dhe duket se ka marrë rolin ta bëjë fakt të kryer këtë politkë, me shpejtësi, para se Biden të ulet mirë në zyrën e tij presidenciale.

Biden është njohës i mirë politikës së jashtme. Për të Shqipëria është në Ballkan, jo në Lindjen e Mesme, aty ku e vinte Trump.

“Vizioni i Joe Biden mbi marrëdhëniet e SHBA me Shqipërinë dhe Kosovën” është një kapitull më vete i programit Biden-Harris mbi politikën e jashtme, ku nuk përmendet asnjëherë togfjalëshi “Minishengen”.

Teksti i plotë, marrë nga programi Biden-Harris:

Kandidati fitues për President, Biden është një mik i vjetër i Shqipërisë dhe Kosovës dhe komunitetit shqiptaro-amerikan. Si President, ai do të vazhdojë të mbështesë sigurinë e Shqipërisë dhe zhvillimin demokratik dhe ekonomik në rajon. Biden e kupton rolin e rëndësishëm të luajtur nga NATO dhe kërcënimet ndaj rajonit të paraqitura nga Rusia.

Çfarë ka bërë Joe Biden:

Si senator, Joe Biden ishte një zë i shquar në Kongres duke qëndruar në këmbë ndaj agresionit të Millosheviçit. Ai mbrojti interesat e Kosovës kur fokusi i botës ishte diku tjetër:

Joe Biden prezantoi rezolutën e vitit 1999 që autorizon Presidentin Clinton "për të kryer operacione ajrore ushtarake dhe sulme raketore kundër Republikës Federale të Jugosllavisë (Serbi dhe Mal i Zi.)" Ai mobilizoi mbështetjen për fushatën ajrore të NATO-s dhe për përgjigjen humanitare ndaj spastrimit masiv etnik të Millosheviçit ndaj kosovarëve, ndërsa u zhvillua fushata.

Joe Biden mbështeti - dhe e ka mbrojtur me vendosmëri - pavarësinë e Republikës së Kosovës, e cila është e pakthyeshme dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Joe Biden ka kërkuar drejtësi për krimet e luftës, duke përfshirë një llogari të plotë të personave të zhdukur, dhe vazhdimisht i ka bërë presion Presidentit Vuçiç për për të hetuar vrasjen e vëllezërve Bytyci. Ai gjithashtu ka nxitur vazhdimisht udhëheqësit politikë të rajonit mbi nevojën për të luftuar korrupsionin.

Joe Biden ka mbajtur interes të nivelit të lartë të Sh.B.A-së në Kosovë, duke  e vizituar dy herë si Zëvendës President. Në një vizitë të vitit 2016, Joe dhe Jill Biden, së bashku me anëtarët e tjerë të familjes, u bashkuan me zyrtarët e Kosovës në përurimin e autostradës Joseph R. ‘Beau’ Biden III duke nderuar djalin e ndjerë të Joe, Beau, i cili shërbeu si këshilltar ligjor në Kosovë.

Çfarë do të bëjë Joe Biden:

Kthimi i pozicionit të çekuilibruar të Administratës Trump ndaj Kosovës dhe Serbisë, duke rivendosur drejtësinë dhe barazinë në marrëdhëniet dhe duke punuar drejt një bashkëpunimi më të madh.

Ai do të punojë në partneritet me Bashkimin Evropian për të ringjallur dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me qëllim të lehtësimit të një zgjidhjeje stabilizuese, të drejtë dhe gjithëpërfshirëse midis dy vendeve, që respekton integritetin territorial të Kosovës dhe arrin njohjen e plotë të ndërsjellë.

Do të këmbëngul që drejtësia për krimet e luftës të ndiqet pa frikë dhe favor dhe të kërkohet përgjegjësi të plotë dhe të shpejtë për të gjithë personat e zhdukur, duke përfshirë Vëllezërit Bytyçi.

Do të mbështesë, misionin NATO-KFOR, duke marrë vendime rreth vendosjes së trupave amerikane bazuar në interesat e sigurisë amerikane, jo llogaritjet politike.

Do të inkurajojë BE-në që të mbajë premtimin e saj për të dhënë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe për të ndërmarrë hapa të tjerë për të çuar përpara integrimin e Kosovës në BE, përfshirë përmes Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

Do të forcojë marrëdhëniet SHBA-Shqipëri duke rritur marrëdhëniet tona të mbrojtjes për të siguruar që Shqipëria mbetet një aleat i fortë i NATO-s, duke zgjeruar marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare midis dy vendeve tona dhe duke zhvilluar biseda të sinqerta me njëri tjetrin me përgjegjshmëri për të ruajtur idealet tona demokratike.

Do të mbështes Shqipërinë në rrugën e saj   drejt anëtarësimit në BE. Kjo do të thotë të ndihmojmë Shqipërinë për të bërë reformat e vështira - duke përfshirë rendin e ligjit, anti-korrupsionin dhe reformat gjyqësore dhe zgjedhore - të kërkuara për të ecur përpara. Kjo gjithashtu përfshin punën për të siguruar që dyert e BE-së të mbeten të hapura për vende si Shqipëria kur të jenë gati.

Me partnerët dhe aleatët evropianë, do të ndihmojmë ekonomitë e shkatërruara të rajonit të rikuperohen nga pandemia dhe të ndërtojnë një të ardhme më të sigurt ekonomike”.

Ç'po bën Rama?

Sa më sipër, Minishengeni duket vetëm një hile e liderëve autoritarë Vuçiçi dhe Rama për të qenë në lojë apo më keq në funksion të ekspansionit të Serbisë dhe Rusisë në rajon.

Biden, po ashtu është shfaqur si një nga kundërshtarët më të mëdhenj të ekspansionizmit turk në rajon - Bosnjë, Shqipëri dhe Kosovë. Pra, Erdoganit, mikut të Ramës dhe Vuçiçit do t’i priten krahët nga një pozicioni më i fortë i SHBA, në krahasim me “simpatinë” që shfaqte Trumpi.

Në Ballkan, siç premtohet, ne mund të presim që Biden të përqendrohet në rikthimin e rolit të Amerikës në rajon, duke prishur ndikimin autoritar të Rusisë dhe duke ndihmuar në finalizimin e një marrëveshje midis Kosovës-Serbisë,  por jo me koncesionet që të dërguarit e Trump kërkonin prej palës shqiptare.

Në programin e Biden në drejtim të Shqipërisë, përmenden integrimi në BE, reforma e drejtësisë, antikorrupsioni, nuk harrohet reforma zgjedhore, por nuk ka asnjë rresht për “Minishengenin” e Ramës.

Në këtë këndvështrim mund të lexohet pse nxiton Rama të takojë bashkëthemeluesin e “Minishengenit”, Vuçiçin dhe çfarë synon ekspozimi i një personazhi të harruarr si Dick Marti. Në kohën kur Biden i kërkon Vuçiçit të gjejë vrasësit e vëllezërve Bytyçi, Rama në një regjistër tjetër, duke stonuar, i sulet Presidentit Meta dhe gjoja e implikon me Dik Martin që ka “zbuluar” krimet e shqiptarëve ndaj serbëve.

/TPZ.al/