TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Nga Edison Ypi
Drejt Peqinit sa kalon Paprin kishin dalë në përfundimin se të kesh armiq aq të ndyrë si të Doktorit është Fati më i madh, je njeriu më i lumtur, Xhehenetin e ke të siguruar.
Pa hyrë në Lushnje, ku për Doktorin ti nxjerrin sytë, kishin nisur një debat për çfarë u duhet bërë atyre që për Doktorin flasin keq; Të shkohen në hell, tu pritet mishi me gërshërë, të hidhen brenda një grope me gjarpërinj, të flaken brenda makinës që grin barin, tu çvishet lëkura ose me atë veglën që qëron patatet, tu priten gjymtyrët me kosore, tu çahet surrati me briskun e synetit ? Pra diskutimi ishte futur në rrugë të mbarë, po bëhej me frymë demokratike. Ika i qetë.
Nën hijen e një rrapi shekullor pak përtej Ballshit po zhvillohej konkursi me temë "Çfarë është dikush që Doktorin e shan, derr, çakall, krimb, mi, skuth, kërrmill ?" Konkursin e fitoi një mallakastriot me mustaqe deri te veshi që tha se kush shan Doktorin është mutmuti.
Në një katund mes Vaut të Dejës dhe Pukës, të shtunën e parë të çdo muaji e kishin caktuar "Dita e Doktorit". Në "Ditën e Doktorit" i madh e i vogël ngriheshin që pa gdhirë, visheshin mbatheshin dhe shkonin kush në kishë e kush në xhami për tu lutur. Jo për shpëtimin e shpirtit të Doktorin, se Doktori shpirtin e ka të shpëtuar, por për shpëtimin e shpirtit të vet.
Te një restorant në Gramsh, mes mishit dhe rakisë, po zhvillohej diskutimi me vlerë nëse gjatë kohës kur ishte President dhe Kryeministër a ja arriti Doktori të plotësojë të gjitha tekat, nazet, avazet, dënglat, e të gjithë shqiptarëve një nga një. Shumica dërrmuese e hamsave thanë se të tilla hajvanllëqe i përhapin spiunat e sigurimit të shtetit ende në veprim, kur paprirmas u ngrit dikush e tha se në pluralizëm gjithçka përcaktohet nga numuri i votave, pra nga aritmetika, statistika. Kaq tha ai dikushi, dhe iku. Gjindja mbeti gojëhapur. Mbledhja u mbyll.
Më kishin thënë se banorët e një komune në Skrapar dinin përmëndësh shkrimin tim "Doktori të bën Selam".
Këtë të Skraparit e besova pas ca kohësh kur diku në veri të Librazhdit rrugës së Gollobordës pashë me syë e m'i te një lokal varur në mur shkrimin "Doktori të 10", që e dinin përmendësh dhe e kishin vënë në kornizë. Ndërsa shkrimin "Doktori si rrepa" nga Kamza në Milot e kishin bërë ninull për të vënë bebet në gjumë.
Te një rrugë e re që lidh Burrelin me Rrëshenin, në një kafene pranë një dushknaje më kapi mërzia. Kishte kaluar më tepër se 1 minutë pasi isha ulur dhe askush s'po vinte të ma ngrinte në qiell Doktorin. Zinë e mërzisë e grisi një mirditor që doli befas nga dushkaja dhe me zërin si tingull çiftelie më bëri pyetjen; Pse Doktori mban afër budallenj ? Sepse s'ka të tjerë, i thashë. Faleminderit, tha mirditori, dhe iku drejt Lurës në gjysëmerrësirë mespërmes bjeshkës.
Pak përtej Rrapit të Pacomitit në Luginën e Vjosës, i kishte zënë halli me një hajvan sipas të cilit rrugët që bëri Doktori po i paguajnë këta që janë tani në pushtet. Para këtij diabolizmi të pashoq kishin mbetur të gjithë të mpirë, derisa një pacomitlli inteligjent i kishte dhënë drejtim me këto fjalë; Pse nuk ndërtojnë edhe këta rrugë me pare borxh që t'i paguajnë ata që do vijnë pas tyre ? Pas kësaj Lugina e Vjosës mori frymë lirisht.