TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Kreu i shtetit, Ilir Meta kërkoi nga institucionet ligjzbatuese që të zbardhen të gjitha rastet e sulmeve ndaj gazetarëve. Në fjalën e tij gjatë pritjes me gazetarët dhe atashetë e shtypit të ambasadave të huaja, me rastin e "Ditës Ndërkombëtare për t'i Dhënë Fund Pandëshkueshmërisë së Dhunës ndaj Gazetarëve", Meta tha se çdo vonesë ndikon negativisht në lirinë e shprehjes.
“Dua të shpreh mirënjohjen dhe solidaritetin për të gjithë komunitetin tuaj, për gazetarët dhe gazetaret, për misionin dhe profesionalizmin dhe të drejtën e fjalës së lirë. Liria e medias është një kusht i pazëvendësueshëm për garantimin e të drejtave të njeriut në një shoqëri demokratike. Kur cënohet liria dhe të drejtat e gazetarit është cënuar themeli i sistemit demokratik. Një solidaritet dua të shpreh për gazetarët e terrenit. Për ata që raportojnë ngjarjet, faktet në mënyrë të menjëhershme. Apeli im sot është që gazetarët të vijojnë pa u trembur në raportimin e lajmit dhe pa u shantazhuar nga askush. Dua të përsëris thirrjen time edhe më parë të bërë publike, ndaj institucioneve, që të zbardhen sulmet ndaj gazetarëve, fatkeqësisht të shpeshtuara, pasi çdo vonesë në këtë drejtim ndikon negativisht në lirinë e shprehjes në vendin tonë. Mosndëshkimi i tyre kundër gazetarëve duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë. Asnjë gazetari nuk duhet t’i rrezikohet jeta apo t’i rrezikohet vendi i punës për shkak të një lajmi”, tha presidenti Meta.
Meta shtoi më tej se: “Dua të inkurajoj promovimin e një mjedisi pune sa më të sigurt për gazetarët që ju ta kryeni misionin tuaj në mënyrë të pavarur dhe larg çdo ndikimi apo ndërhyrjeje të panevojshme. Duhet të respektohet rigorozisht integriteti profesional dhe njerëzor i gazetarëve dhe askush të mos intimidojë dhe për asnjë arsye këtë integritet profesional dhe akoma më rëndë, personal. Raportimet se në dy vitet e fundit, të paktën 12 gazetarë kanë kërkuar azil në vendet e BE-së dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shkak të rreziqeve të punës, ndërsa 34 të tjerë kanë kërkuar shtetësi në vende të tjera, janë tronditëse dhe alarmuese.
Gazetarët duhet të refuzojnë çdo përpjekje që synon të shkatërrojë gazetarinë serioze për ta zëvendësuar atë me ‘Fake News’. Humbja e gazetarisë së terrenit është goditje për fjalën e lirë. Njëkohësisht problemet e gazetarëve janë në të gjithë botën prandaj është edhe kjo Ditë. Me këtë rast dua të dënoj me forcë vrasjen tronditëse të gazetarit Jamal Khashoggi në konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll duke iu bashkuar thirrjes tuaj si përfaqësues të medias, por edhe të gjithë komunitetit ndërkombëtar, edhe unë nënvizoj rëndësinë e bëj thirrje që ky rast të kthehet në një shembull për një hetim gjithëpërfshirës, që do të vërë para përgjegjësisë të gjithë urdhëruesit dhe autorët e tij. Shpresojmë që vitin tjetër të mos kemi raste të tilla dhe liria e medias e të drejtat e gazetarëve të shënojnë përparim!” – nënvizoi në përmbyllje të fjalës së Tij Presidenti Meta.