AKTUALITET, 21 Tetor 2018, 15:21

Dënimet e lehta/ Jo burg, por trajtim në komunitet për të miturit

Dënimet e lehta/ Jo burg, por trajtim në komunitet për të

Durrësi është qyteti i tretë, pas Tiranës dhe Korçës që i bashkohet zbatimit në praktikë të Kodit të Drejtësisë Penale për të Miturit, për të trajtuar pranë komunitetit, duke u angazhuar në programe të posaçme socializuese në qendrat sociale të Bashkisë, të miturit që kanë probleme të lehta me ligjin.

Ministria e Drejtësisë dhe Bashkia e Durrësit kanë nënshkruar marrëveshjen për zbatimin e masave alternative të shmangies nga ndjekja penale e të miturve në konflikt me ligjin. Kjo marrëveshje iu jep mundësi të miturve që kanë kryer një vepër të lehtë penale dhe jo me pasoja të rënda që të korrigjohen, këshillohen, informohen dhe udhëzohen se si mund të përmirësojnë sjelljen, se si mund të riparojnë dëmin e shkaktuar apo se si mund të pajtohen me viktimën nëpërmjet zbatimit të masave alternative të shmangies nga ndjekja penale.

Marrëveshja u nënshkrua nga zv.ministri i Drejtësisë z.Toni Gogu dhe nënkryetari i Bashkisë së Durrësit, z.Florian Tahiri.