TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Gazetari Mero Baze, në një editorial të tij në gazetën TemA, ka cituar një burim zyrtar nga Ministria e Drejtësisë, i cili ka ofruar një shpjegim për udhëtimet e Etilda Gjonajt. Sipas këtij burimi të Bazes, gazetari që ka bërë shkrimin nuk është thelluar për të marrë informacion rreth numrit të personave që kanë udhëtuar dhe qëndruar në hotel me ministren, apo çmimet e periudhës kur janë prenotuar hotelet.
"Burime zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë i pohuan gazetatës TemA, se i kanë ofruar portalit në fjalë faturat dhe konfirmojnë orgjinalitetin e tyre, por kanë theksuar se askush nuk ka bërë pyetje rreth kompleksitetit të faturës, numrit të personave që kanë udhëtuar, ditët që kanë fjetur, natyrën e udhëtimit, ndonjëherë të minutës së fundit dhe çmimet e asaj periudhe. Pra nuk ka pasur pyetje shpjeguese për faturat dhe në dukje ato ngjajnë si një zbulim", shkruan Baze.
Por, po të shihen faturat e publikuara në media, është e qartë se në dhomat luksoze të këtyre hoteleve, ka qëndruar vetëm një person. Me përjashtim të një prej faturave, e cila nuk përmban numrin e personave të akomoduar, në të gjithë faturat e tjera është shënuar numri i personave që do të qëndrojnë dhe rezulton të jetë vetëm një person. Ndaj, sipas këtyre faturave, ministrja ka fjetur e vetme në hotelet luksoze me çmime stratosferike, deri në 700 euro nata.
Argumenti tjetër, që përdor zyrtari i ministrisë, është periudha e prenotimit të biletave. Sigurisht çmimet e hoteleve nuk janë të njëjta dhe ato rriten në periudha më të ngarkuara. Por, ky nuk është një argument i vlefshëm në këtë rast, sepse ministrja ka zgjedhur me vullnetin e saj, hotele luksoze me pesë yje, në të gjitha rastet e publikuara. Nëse ajo do të kishte shqetësimin minimnal për paratë e qytetarëve shqiptarë, nuk do të prenotonte hotele me pesë yje, në kohë shumë të ngarkuara, me çmime stratosferike, por do të gjendeshin alternativa më ekonomike, të cilat sigurojnë komfort maksimal edhe për ministren.
Ministrja minimalisht i detyrohet qytetarëve një shpjegim për këtë skandal dhe më pas, nëse do të ndiqte shembullin e homologëve të saj në Europë dhe jo shembullin e kolegëve Rilindas, duhet të dorëhiqej sa më parë.
Gjithsesi, media vijon të jetë në pritje të reagimit të ministres, të cilës duket se gjetja e shpjegimeve dhe argumentave për të justifikuar këto fatura, po i merr vërtetë një kohë të gjatë.
/TPZ.al/
LEXO EDHE:
https://www.tpz.al/2019/08/25/lideret-boteror-qendruan-ne-hotele-300e-nata-ne-samitin-e-g20-gjonaj-shpenzon-700e-per-nje-nate/