AKTUALITET, 30 Janar 2020, 18:50

“Më thirrën pronarët se u prish dera”/ Dëshmia e të arrestuarit për vrasjen e Jak Prengës

“Më thirrën pronarët se u prish dera”/  Dëshmia

Është njëri prej të arrestuarve të deritanishëm nga policia në lidhje me pengmarrjen e më tutje vrasjen e Jak Prengës.

Por, Olsi Turja thotë se ai nuk ka asnjë gisht me pengmarrjen e ndodhur më 17 janar në Kamëz dhe se nuk ka dijeni mbi torturën apo faktin se Jak Prenga e humbi jetën për shkak të pazareve me drogën.

Në dëshminë e tij para hetuesve, ai është shprehur se punon në resortin e familjes Hajri në Shijak dhe se është thirrur pikërisht nga ata për të rregulluar një derë të prishur.

“Nuk kam lidhje me ngjarjen, punoja në resort. Resortin e kishim mbyllur pas tërmetit, dhe prisnim ekspertët për ta vlerësuar. Më thanë hajde se na është prishur dera. Më pas erdhi policia dhe më mori,”-ka dëshmuar 36 vjeçari i arrestuar nga policia.

Kujtojmë se zanafilla e pengmarrjes së Jak (Jani) Prengës nis në Britani, ku i vëllai Astriti nuk ka kryer deri në fund porosinë e familjes Hajri për transportimin e një sasie të madhe kokainë në vendin e duhur. Sipas të dhënave të deritanishme Astrit Prenga ka kërkuar më shumë para për ‘shërbimet’ e tij, por grupi kriminal si përgjigje i ka dhënë rrëmbimin dhe më pas vrasjen e të vëllait.