AKTUALITET, 5 Prill 2020, 13:17

“Me talentin e spikatur, Gëzim Kruja një nga figurat më të dashura të artit”- Presidenti Meta mesazh pas vdekjes së Mjeshtrit të Madh


Presidenti Ilir Meta reagon pas ndarjes nga jeta të mjeshtrit të madh të skenës dhe humoritm Gëzim Kruja, duke e konsideruar një lajm trishtues.

Teksa i shpreh ngushëllimet familjes Kruja, Presidenti shkruan se me talentin e spikatur, Gëzim Kruja do të mbahet mend si një prej figurave më të dashura të artit shqiptar.

Reagimi i plotë i Presidentit Meta:

Ndarja nga jeta e Mjeshtrit të Madh të skenës dhe humorit, Gëzim Kruja është një lajm trishtues.

Me talentin e spikatur, Gëzim Kruja do të mbahet mend si një prej figurave më të dashura të artit shqiptar, që falë personazheve karakteristike të interpretuara mjeshtërisht u duartrokit nga shumë breza, duke lënë pas një trashëgimi të vyer artistike.

I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Kruja, të afërmve, të gjithë artdashësve dhe qytetarëve të mrekullueshëm të Shkodrës, për këtë humbje të pazëvendësueshme.