TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Kreu i partisë Socialdemokrate, Zoran Zaev nuk pranon kushtin e BDI-së për kryeministër shqiptar duke u shprehur se është i gatshëm t’i japë deputetë VMRO-DPMNE-së opozitare për të formuar qeveri pakice.
Këtë koment Zaev e ka bërë gjatë një debati televiziv me kreun e opozitës Hristijan Mickoski.
“Nëse ky është kushti që të jemi me BDI-në, nuk do të negociojmë me ta. Jam i gatshëm t’i jap 13 deputetë Mickoskit që ai të formojë qeveri pakice, ose do të kërkoj nga ai të më japë gjashtë deputetë që ne ta formojmë qeverinë. Përmes shantazheve nuk do të bisedojmë.”- është shprehur ai.
Por sa i përket kësaj çështje, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti ka deklaruar se sikurse u zgjodhe kryeparlamentari, ministri i Brendshëm e i Mbrojtjes, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut mund ta kenë edhe kryeministrin shqiptar.
“Me kryeministër shqiptar rritet lojaliteti i shqiptarëve ndaj shtetit. Me kryeministër shqiptar forcohet integriteti dhe sovraniteti i shtetit. Ne nuk marrim hisen e tjetër kujt, pasi të huajin kurrë nuk e kemi dashur, por për hisen tonë gjak kemi derdhur.”- tha Ahmeti.
Kujtojmë se Ahmeti një javë më parë u shpreh se Maqedonia e Veriut do të udhëhiqet nga një kryeministër shqiptar, duke shtuar atje nuk janë vetëm maqedonasit por edhe shqiptarët.
Ndërkohë kujtojmë se Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut ka mbyllur listën zgjedhore, ku të drejtën e votës në zgjedhjet e 15 korrikut e kanë mbi 1.8 milionë qytetarë.