AKTUALITET, 24 July 2026, 22:56

Londër/ Kapen me kokainë me vlerë 1.8 milionë paund dhe pistoletë, dy shqiptarë dënohen me burg

21.jpg

Dy shtetas shqiptarë janë dënuar me burg në Mbretërinë e Bashkuar pasi u kapën me sasi të mëdha kokaine, një armë zjarri gjysmëautomatike dhe mjete të tjera të lidhura me aktivitetin kriminal.

Gjykata Harrow Crown Court dënoi 47-vjeçarin Zyber Tusha me 12 vite e 6 muaj burg, pasi ai pranoi akuzat për posedim të lëndëve narkotike të klasës A me qëllim shpërndarjeje, si dhe posedim të një arme zjarri.

Ndërkohë, Oltjan Serferi, 21 vjeç, pa adresë fikse, u dënua me 4 vite burg pasi pranoi akuzën për posedim të kokainës me qëllim shpërndarjeje.

Operacioni u zhvillua më 5 shkurt nga London Organised Crime Partnership, një strukturë e përbashkët mes Agjencisë Kombëtare Kundër Krimit (NCA) dhe Policisë Metropolitane të Londrës.

Gjatë kontrollit në banesën e Zyber Tushës, në zonën Beaufort Estate në Colindale, në veriperëndim të Londrës, hetuesit zbuluan 19 kilogramë kokainë, me vlerë rreth 1.5 milionë paund në treg.

Në banesë u gjet gjithashtu një pistoletë gjysmëautomatike Springfield, e mbushur me 14 fishekë, si dhe 40,615 paund cash, gjashtë dokumente identiteti të falsifikuara, pesë telefona celularë dhe 21 kilogramë substancë prerëse, e cila përdoret për përzierjen e kokainës.

Gjatë momentit kur policia po arrestonte Tushën, në vendngjarje mbërriti edhe Oltjan Serferi. Ai mbante me vete një çantë me 4 kilogramë kokainë, me vlerë rreth 320 mijë paund.

Sipas autoriteteve, sapo ka parë efektivët e policisë, Serferi ka hedhur çantën dhe ka tentuar të largohet, por është kapur pak çaste më vonë.

Autoritetet britanike kanë bërë të ditur se të dy shqiptarët ndodheshin ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar dhe se pas përfundimit të dënimeve me burg do të deportohen drejt Shqipërisë.