AKTUALITET, 18 Dhjetor 2019, 11:31

"Ligji është i vdekur që në lindje, do të rrëzohet me çdo mjet demokratik". Gazetarët protestojnë kundër censurës

Paraditen e sotme, gazetarët kanë protestuar kundër të ashtuquajturës, "Paketës Anti'shpifje", një paketë ligjesh që synojnë policim dhe kontrollin e medias online, nëpërmjet gjobave dhe presionit. Paketa Anti-Shpifje, është një nismë personale e kryeminsitrit Rama, i cili e ka prezantuar atë në shumë dalje publike. Gazetarët i kontestojnë këto ligje, të cilat i japin fuqi dy institucioneve të kontrolluara de facto nga qeveria, AMA dhe AKEP, për të vendosur gjoba të majme, të cilat ekzekutohen pa patur mundësi të shqyrtimit nga ana e një gjykate. Gazetarët konsiderojnë se ky ligj është i panevojshëm, duke qenë se aktualisht në Republikën e Shqipërisë, ligji i shpifjes, apo Kodi Penal, i adreson të gjithë shqetësimet që pretendon se adreson kjo paketë represive. Gazetari i BIRN, Gjergj Erebara, dha një deklaratë për mediat gjatë protestës. Ai u shpreh se mazhoranca po miraton një ligj që shkon kundër Europës dhe se gazetarët do të vijojnë protestat dhe kundërshtimin e kësaj pakete, me çdo mjet demokratik. "Qeveria kërkon të krijojë një regjim, i cili nuk është në përputhje me standartet europiane dhe ndërkombëtare të lirisë së shprehjes. Ne do të vijojmë ta luftojmë ligjin, deri në rrëzimin e tij të plotë, me të gjithë mjetet demokratike. Angazhimi i gazetarëve, qytetarëve dhe aktivistëve të shoqërisë civile ka qenë i jashtëzakonshëm dhe e konsideroj betejen të fituar. Socialistët sot do të deklarohen nëse janë një forcë anti europiane, apo europiane. Nëse e miratojnë këtë ligj, ai do të jetë i vdekur që në lindje, sepse asnjë ligj i tillë nuk mund t'i mbijetojë rishikimit nga Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut", u shpreh Erebara. /TPZ.al/