LIFESTYLE, 12 Maj 2023, 19:41

U raportua se u kap me drogë në Stamboll, stilisti nga Kosova humb pasaportën diplomatike

U raportua se u kap me drogë në Stamboll, stilisti nga Kosova humb

Pas raportimeve se u kap me drogë në Stamboll, stilistit të njohur shqiptar, Valdrin Sahiti i është bërë e pavlefshme pasaporta diplomatika nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Ky veprim ka ndodhur me dëshirën e vet stilistit, i cili e ka dorëzuar pasaportën diplomatike në MPJD.

Këtë e ka bërë të ditur zyrtarja për media nga Ministria e Punëve të Jashtme, Qëndresa Fazliu, në një përgjigje për Telegrafin.

“Z.Sahiti ka dorëzuar në MPJD pasaportën diplomatike me datë 26.04.2023.Të njëjtit me kërkesë të tij, i është pa vleftësuar pasaporta diplomatike”, ka thënë ajo.

Ndonëse ky veprim vjen pas raportimit se Sahiti ishte kapur me drogë javë më parë në aeroportin e Stambollit, nga MPJD thonë se nuk kanë pranuar një raport zyrtar lidhur me këtë çështje nga homologët e tyre në Turqi.

”Gjithashtu ju njoftojmë se deri tani, MPJD nuk ka pranuar asnjë raport zyrtar nga autoritetet turke, lidhur me raportimet e mediave për ndalimin a arrestimin e z. Sahiti në shtetin turk”, theksoi ajo.