LIFESTYLE, 22 Mars 2023, 11:56

Receta e ashures, ëmbëlsira tradicionale e Sulltan Nevruzit

Receta e ashures, ëmbëlsira tradicionale e Sulltan Nevruzit

Ashurja është një ëmbëlsirë turke që është përgatitur prej kohësh në familjet shqiptare e që tashmë tregtohet dhe blihet me kënaqësi edhe në ëmbëltore.

Megjithatë ju mund ta përgatisni në shtëpi për të marrë kënaqësinë e gatimit, por edhe për të pasur garancinë e shijes optimale.

Kjo është receta e plotë e ashures.

Përbërësit                                         

Për 4 persona

300 gr grurë për ashure (grurë të rrahur)

100 gr sheqer të bardhë ose kafë

100 gr arra

100 gr bajame

100gr lajthi

50 gr rrush të thatë

3-4 fiq të thatë

3-4 karafila

Disa kokrra shegë për zbukurim (sipas dëshirës)

2 lugë të vogla kanellë

2-3 lugë niseshte (sipas dëshirës)

Pak kripë

Hapat

1 Vendosim rrushin e thatë në një enë me ujë të ngrohtë për 15 minuta që të zbutet.

2. Lajmë mirë grurin dhe e ziejmë në zjarr të ngadaltë me rreth 2-2.5 l ujë derisa të zbutet plotësisht.

3. I shtojmë sheqerin, pak kripë, rrushin e thatë të shtrydhur nga uji i tepërt, fiqtë e thatë të prerë hollë, kanellën, karafilin dhe arrat e grira duke hequr mënjanë disa për zbukurim.

4. Në këtë moment, mund të lëmë që lëngu i ashures të trashet vetë duke rritur kohën e zierjes dhe duke e përzier vazhdimisht, apo të shtojmë pak niseshte të tretur në ujë të ngrohtë, për të reduktuar kohën e përgatitjes.

5. E lëmë në këtë mënyrë të ziejë edhe për pak minuta dhe e shpërndajmë ashuren në tasa duke e spërkatur sipër me pak kanellë, disa kokrra shegë dhe me arrat e mbetura.

6. E vendosim në frigorifer dhe e konsumojmë të ftohtë.