LIFESTYLE, 27 Nëntor 2022, 12:40

“Dukuri mesjetaro-fashisto-staliniste”/ Shkrimtari Virion Graçi denoncon botuesin i tij dhe të Kadaresë: Më hoqi librat nga panairi

“Dukuri mesjetaro-fashisto-staliniste”/ Shkrimtari Virion
Virion Graçi dhe Bujar Hudhri

Një skandal i padëgjuar ka ndodhur gjatë panairit të Librit, që u mbajt në Tiranë në datat 16-20 nëntor 2022. Shkrimtari Virion Graçi, ka denoncuar botuesin e tij, Bujar Hudhri, pronar i shtëpisë botuese “Onufri”, se nuk kishte sjellë në stendat e edicionit të 25-të të festivalit të librit, librat e tij të shkruar ndër vite. Graçi thotë se ishin libra të botuar te “Onufri” në vitet e fundit, pas një bashkëpunimi të nisur me kërkesën e Bujar Hudhrit, në praninë dhe  pëlqimin e Ismail Kadaresë, që të dy gjirokastritë. Hudhri, prej shumë vitesh është botuesi i shkrimtarit tonë të shquar. Graçi thotë se më 19 nëntor, i bëri edhe një sms pronarit të shtëpisë botuese ku i shkruante se librat ishin mishi e gjaku i tij dhe ai nuk mund t'i mbante peng dhe t'i burgoste.

Reagimi i Graçit

Këto ditë panairi kam marrë disa thirrje e njoftime miqësore se librat e mi, botuar te “Onufri” në vitet e fundit, bashkëpunim i nisur me kërkesën e Bujar Hudhrit, në praninë dhe pëlqimin e Ismail Kadaresë nuk ishin sjellë në stendë, ishin hequr nga qarkullimi, siç më thanë vajzat që shisnin aty - punonjëse me kohë të plotë në atë ndërmarrje shtypshkruese.

Në mesjete, në periudha inkuizicioni, në periudhat kur instaloheshin regjimet totalitare ka pasur konfiskim librash, djege librash, libra e autorë të ndaluar, por në vitin 2022 nuk e kuptoj si e përse mund të hiqen nga vetë botuesi i tyre nga qarkullimi librat (e mi: "Pëllumbat i vrasin natën"; "Dead End"; "800 hapa larg Venerës"; "Të çmendur në parajsë".) Pa e ditur se ishte i strukur pikërisht pas stivave me librat që kish nxjerrë në treg i bëra një sms pronarit/drejtorit të shtëpisë botuese ku i thashë: "Ata libra janë mishi e gjaku im, nuk mund t'i mbash peng, nuk mund t'i burgosësh."

Në ato libra, nga ana përmbajtësore autori nuk konsumon asnjë vepër penale siç mund të jenë përhapja e urrejtjes me motive raciste, fetare, klasore a etnike - çka me të drejtë i bënin së pari të pabotueshëm.

Nuk po zgjatem. Ky ishte një shënim sqarimi e ndjesë për lexuesit e mi të cilët, ardhur në panair enkas, u ndodhen para kësaj dukurie mesjetaro-fashisto-staliniste..”-shkroi Graçi një ditë përpara mbylljes së edicionit të 25-të të Panairit të Librit.

Por jehona e këtij veprimi ka vijuar. Dy ditë më parë, shkrimtari, publicisti dhe përkthyesi Dashnor Kokonozi, e riktheu këtë skandal të ndodhur në panair, duke e cilësuar shenjë të dukshme imoraliteti.

Shënimin e Kokonozit në Facebook, me titull “Shenjë e dukshme imoraliteti…”, më pas, e ripostoi edhe vetë Graçi.

Reagimi i Dashnor Kokonozit 

“Është hera e parë që largohem me një ndjenjë të keqe zemërimi nga Shqipëria. Kjo për shkak të asaj që i ndodhi shkrimtarit Virion Graçi. Pa asnjë lloj shpjegimi, botuesi i tij ia hoqi të gjitha librat  nga stenda e Panairit  të këtij viti. Nuk e di çfarë mund të ketë fyerje më të madhe!

Kurrë nuk kam dëgjuar që kjo t’i ketë ndodhur qoftë edhe një mitomani a grafomani me të cilët ishin mbushur gjysmat e stendave të Panairit Ja, pra që i ndodhi njërit prej shkrimtarëve dhe intelektualëve më të mirë shqiptarë.

Është e pabesueshme, por më i pabesueshëm ishte reagimi i intelektualëve  dhe shkrimtarëve shqiptarë. Ne, poshtërsisht nuk e hapëm gojën. Librat tanë iu paraqitën  vizitorëve të shumtë dhe lexuesve të paktë dhe një kënaqësi kaq langaraqe përligjte heshtjen. Nuk patëm kurajën të protestojmë. Nuk gjetëm guximin të tërheqim librat tanë nga Panairi për të  shprehur mosaprovimin tonë për një gjest aq të ulët! Kjo është thjesht shenja e dukshme e imoralitetit tonë. Jo më e madhja. Por që   në mënyrën edhe kjo shpjegon mjerimin e thellë të atij vendi!”.