TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Ish deputeti i Partisë Demokratike , Dorian Teliti i është përgjigjur kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, i cili mëngjesin e sotëm bëri një krahasim për landfillin e Sharrës si ishte në kohën kur qeveriste PD-së dhe si është sot, ku në krye të shtetit është ai.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Teliti shkruan se Rama u paraqiti shqiptarëve një video 3D në vend, dhe sipas tij këtë gjë e ka bërë edhe për aeroportet, rrugët dhe portet.
Postimi i Telitit:
Edhe sot ER, u paraqiti shqiptarëve një video 3D në vend, siç bën për çdo rrugë, port apo aeroport që u servir shqiptarëve.
Pasi ka dhënë 25 milion euro vetëm për inceneratorin e Tiranës dhe inceneratori nuk duket gjëkundi, ER ka bërë gati për të paguar Klodian Zotos dhe mafias së inceneratorëve pas tij 430 milion euro të tjera nga paratë publike. Si premio sipër kësaj, i ka dhënë edhe monopolin e mbetjeve të ngurta të Tiranës, duke falimentuar industrinë e riciklimit. Por Tirana e Edi Ramës dhe Erion Veliajt vazhdon të qelbet në plehra dhe qytetarët e shohin përditë me sytë e tyre këtë të vërtetë.
Pas 8 vitesh në pushtet qëndror dhe pas 6 vitesh që kontrollojnë bashkinë e Tiranës, dyshja Rama-Veliaj kanë zgjedhur që t’i ikin llogaridhënies për dështimin në menaxhimin e mbetjeve duke u shfaqur një video 3D të premtimit të rremë të radhës. Premtimi dhe angazhimi i tyre i vërtetë është kontrata që kanë me Klodian Zoton për t’i zhvatur taksave të shqiptarëve rreth 500 milion euro.
Mëngjesin e sotëm kryeministri Edi Rama ka publikuar disa pamje nga landfilli i Sharrës në kohën e qeverisjes së Sali Berishës, e cila sipas tij kërcënonte shëndetin e qytetarëve duke ndotur ambientin.
Ndërkohë, në fund të vidoes shfaqet edhe projekti i ri i qeverisë për landfillin e Sharrës. Kështu kryeministri bën krahasimin mes qeverisjes së Berishës me Bashën, Metën e Kryemadhit, me qeverisjen aktuale të Partisë Socialiste.
Debati për inceneratorët:
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha akuzoi dje kryeministrin Edi Rama se ka ndarë 400 milionë euro nga taksat e qytetarëve për ndërtimin e impianteve të trajtimit të mbetjeve. Basha tha se qeveria është e kapur nga mafia e plehrave, dhe shkoi më tej duke thënë se do të shkarkohet kryebashkiakja e Durrësit që të firmosë Milva Ikonomi në vend të saj, shkresën që i hap rrugën “vjedhjes së parave” .
Por kryeministri Edi Rama, ka një tjetër qëndrim për çështjen. Në një reagim në rrjetet sociale, Rama tha se PD ka një marrëdhënie nostalgjie me plehrat, ndërsa e akuzoi Bashën se kur PD ishte në pushtet, mbetjet ishin “male krenarie”.
Rama i quajti akuzat për shpërdorim të parave ‘shpifje’ dhe u zotua se ndërtimi i impianteve do të vazhdojë, si e vetmja mënyrë për të trajtuar mbetjet në Tiranë, Elbasan, Durrës e Fier.