TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Janë konfirmuar katër raste të reja të personave të infektuar me koronavirus në Shqipëri. Tre prej këtyre rasteve janë të lidhura me dy personat, babë e bir, të konfirmuar ditën e djeshme. Rasti tjetër, është një 31 vjeçar që ka qëndruar në Milano vetëm për një ditë.
Në total, numri i të infektuarve në Shqipëri ka mbërritur në gjashtë persona.
Njoftimi i Ministrisë së Shëndetësisë:
"Gjatë ditës së sotme janë testuar edhe 14 raste të dyshuara për COVID-19, tetë prej të cilëve persona të kontaktit të ngushtë me dy rastet e konfirmuara me koronavirusin e ri në vendin tonë.
Nga rezultatet e 14 testimeve të kryera në laboratorin e virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, rezulton se 4 persona kanë rezultuar pozitiv për COVID-19, 3 prej të cilëve persona të familjes me 2 rastet e para që u konfirmuan mbrëmjen e djeshme.
Aktualisht të gjithë personat e tyre të kontaktit po mbahen në vetëkarantinim të detyruar dhe po ndiqen nga ekipet e epidemiologëve për gjendjen e tyre shëndetësore.
Aktualisht gjendja e tyre rezulton pa probleme të veçanta.
Rasti tjetër i konfirmuar gjatë ditës së sotme, është një 31-vjeçar me banim në Tiranë, që ka patur histori udhëtimi me Milanon 6 ditë më parë dhe është kthyer pas një qëndrimi të shkurtër 1 ditor në vendin fqinj.
Ai po trajtohet bashkë me 2 rastet e mbrëmshme, në spitalin infektiv dhe gjendja e tij paraqitet pa probleme të veçanta.
Deri tani janë testuar 77 raste dhe numri i atyre që kanë rezultuar pozitiv për COVID-19 është 6.
Duke vlerësuar punën e stafeve mjekësore në këto momente të vështira dhe garantuar gatishmërinë e shërbimit tonë shëndetësor sipas planit të hartuar mbi protokollin e OBSH-së, Ministria e Shëndetësisë fton qytetarët të ndjekin me kujdes rekomandimet zyrtare dhe të kujdesen posaçërisht për masat e higjienës personale.
Për çdo rast të shfaqjes së shenjave të infeksionit respirator, si temperaturë, kollë, vështirësi në frymëmarrje, sidomos për personat që kanë histori udhëtimi me vendet e prekura apo kanë pasur kontakt me ta, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Social u lutet qytetarëve të lidhen me Urgjencën Kombëtare në nr. 127!"