TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Policia e Shtetit ka finalizuar dje një tjetër operacion ndërkombëtar, duke vënë në pranga gjashtë persona të shpallur në kërkim.
Operacioni u zhvillua në të njëjtën kohë në Shqipëri, Itali, Argjentinë e Kosta Rika. Në një njoftim zyrtar, Policia bëri të ditur se u kap dhe u arrestua me qëllim ekstradimi, shtetasi Bujar Sejdinaj, i njohur me nofkën “Xhaxhai”, përfaqësuesi i Ndrangheta-s në Shqipëri e në zonën e Ballkanit dhe në veçanti përfaqësuesi i familjes mafioze “Belloço”. Shtetasi Bujar Sejdinaj akuzohet se ka marrë pjesë në blerjen e rreth 20 kg kokainë në Spanjë.
Me bashkëpunimin e Interpol San Hoze në Kosta Rika u arrestua në qytetin Jaco shtetasi Franco D’Agapiti, lindur në Velletrim (Itali), bashkëpronar i një hoteli “Casino” në Kosta Rika. Ky shtetas ishte vendosur në Kosta Rika dhe ishte bërë pikë referimi për organizatat kriminale.
KUSH ËSHTË “XHAXHAI”
Bujar Sejdinaj, njihet si përfaqësuesi i Ndranghetas në Shqipëri dhe në zonën e Ballkanit, e në veçanti përfaqësuesi i familjes mafioze “Belloço”. Shpeshherë Antimafia Italiane ka dhënë alarmin për bashkëpunimin e ngushtë që aleanca e Ndragetës ka me krimin shqiptar, në trafikimin e lëndëve narkotike, kryesisht kokainë dhe kanabis sativa.
I fundit që iu ra kambanave ishte zyrtari i Antimafias, Federiko Cafiero de Raho, që e konsideroi partneritetin mes mafies italiane si një marrëveshje të krimit që mbulon portet e Europës veçanërisht për kokainë. Pikërisht nga ky shqetësim për lidhjet e Ndragetës në Europë, në Lion (Francë), është ngritur një njësi e posaçme “ICAN” që përmes Interpolit gjurmon Ndragetën. Ndërkohë, Bujar Sejdinaj, me nofkën “Xhaxhai”, është njëri nga të arrestuarit i cili akuzohet si bashkëpunëtor i Ndragetës në Shqipëri dhe në Ballkan. Ai u arrestua në të njëjtën kohë kur aksioni ndërkombëtar i mbajtur edhe në Itali, Argjentinë e Kosta Rika dërgoi edhe anëtarë të tjerë Ferdinanto Sarago, Giovani di Pietro, Fabio Pompeti dhe Franko D’agapiti. Më herët në Shqipëri ishte arrestuar edhe i gjashti, Ardjan Cekini, gjithashtu i kërkuar për t’u ekstraduar drejt Italisë.
Por i ashtuquajturi “Xhaxhai”, jo vetëm ka organizuar blerjen e rreth 20 kg kokainë. Në vitin 2019, shtetasi Alesandro Fonti anëtar i familjes mafioze Ndrina Belloco ka ardhur në Shqipëri për të takuar dy bashkëpunëtorët, Cekini dhe Sejdinaj. Në këtë takim Ardjan Cekini ka ndërmjetësuar për udhëtimin e mëtejshëm të “Xhaxhait” drejt Italisë.
Në datën 22 shkurt Gianfranco Marono, Fonti dhe “Xhaxhai” realizojnë në Santiago de Compostela një takim me furnizuesin e drogës, me të cilin mendohet se është koordinuar importi. Takimet kanë vazhduar brenda muajit për të realizuar blerjen. Sipas autoriteteve italiane, faktet rëndohen pasi veprimtaria mes anëtarëve kryhet në mënyrë mafioze dhe me qëllim për të ndihmuar organizatën e “Bellocos”. I pari që u arrestua është Çekini, i cili sipas autoriteteve, është përsëritës sa kohë ai po kërkohej edhe nga Gjykata e Milanos që prej 2017-ës.
TË ARRESTUARIT
1. Bujar Sejdinaj, 61 vjeç, përfaqësuesi i “Ndrangheta”-s në Shqipëri.
2. Adrian Cekini, në kërkim nga autoritetet italiane.
3. Ferdinando Sarago, korrier dhe njeri i besuar i “Ndrangheta”-s, i arrestuar në Argjentinë.
4. Giovanni di Pietro, bënte lidhjet midis furnizuesve të drogës dhe familjeve mafioze italiane.
5. Fabio Pompetti, lindur në Argjentinë, bashkëpunëtor i ngushtë i F. M.
6. Franco D’Agapiti, lindur në Velletri (Itali), bashkëpronar i një hoteli “Casino” në Kosta Rika
Trafikoi kokainë nga Amerika Latine në Itali
Mësohet se 61-vjeçari Bujar Sejdinaj është me origjinë nga fshati Ostren i Vogël i Peshkopisë, por banues në Tiranë. Ai u arrestua ditën e djeshme nga Policia e Shtetit, si pjesë e një rrjeti të mirorganizuar që trafikonte kokainë nga vendet e Amerikës Latine në drejtim të Italisë dhe mandej në vendet e Gadishullit Ballkanik, përfshirë dhe Shqipërinë. Sipas Policisë shqiptare, Bujar Sejdinaj, i cili ishte “Ambasadori” i “Ndragheta”-s në Ballkan, së bashku me një shtetas tjetër Shqiptar nga Elbasani, i quajtur Ardian Çekini, dyshohet se kanë marrë pjesë në blerjen e rreth 20 kg kokainë në Spanjë. Ndërkohë, ky operacion ka nisur nga autoritetet italiane që nga viti 2007, duke sjellë edhe sekuestrimin e një sasie prej 400 kilogramësh kokainë. Këtë operacion ata e kanë kryer dhe me persona të tjerë me shtetësi italiane, që besohet se janë pjesë e klanit mafioz “Ndragheta” në Itali.
“Ndrangheta”, organizata më e madhe në botë dhe aktivitetet e saj
“’Ndrangheta’, në rrjet krimi i organizuar në Itali, që sa vjen e forcohet, ka kryer një veprimtari të paligjshme me vlerë prej 69 miliardë dollarësh vetëm gjatë vitit 2007”, kanë bërë të ditur hetuesit italianë. Ekspertë të krimit në Itali kanë pohuar më herët se kjo organizatë ia ka kaluar mafies siciliane, duke u renditur si më i madhi rrjet trafikant i drogës në Itali. Ekspertë të krimit dhe hetues italianë theksojnë se rrjeti “’Ndrangheta’, me qendër në rajonin jugor të Kalabrisë” ka ardhur duke u forcuar gjithnjë e më tepër dhe ka zgjeruar aktivitetin ndërkombëtar. Ata thonë se kjo organizatë ka shtrirë aktivitetin e saj në të gjithë Europën dhe përtej saj. Një raport i fundit i grupit kërkimor italian, thotë se kjo organizatë është e përfshirë në aktivitete nga më të ndryshmet, që nga trafiku i drogës dhe zhvatja e parave, në kontrabandën e armëve, prostitucionin dhe imigracionin e paligjshëm. “Eurispes”, në raportin e tij të disa viteve më parë, ka thënë se “’Ndrangheta’, e cila do të thotë ‘Shoqëri Nderi’, ka realizuar një aktivitet kriminal me vlerë 69 miliardë dollarë”. Organizata kriminale po bëhet gjithnjë e më e fuqishme dhe po shtrihet jashtë vendit./Panorama/