AKTUALITET, 9 Nëntor 2019, 23:02

Kriza e Napolit vazhdon, Ançeloti kthen Hysajn mes titullarëve

Kriza e Napolit vazhdon, Ançeloti kthen Hysajn mes titullarëve

Elseid Hysaj ka lënë plotësisht pas dëmtimin e tmerrshëm që pësoi një muaj më parë dhe këtë e ka treguar duke luajtur sot për 84 minuta në duelin mes Napolit dhe Xhenoas në Serinë A. Në një ndeshje shumë të tensionuar, për shkak të situatës së krijuar në mesjavë në duelin e Ligës së Kampioneve, Ançeloti ka zgjedhur t’i besojë futbollistit shqiptar krahun e majtë të prapavijës.

Hysajt iu desh kësisoj që të luftonte gjatë gjithë ndeshjes me Goran Pandev dhe ia doli që të mbante sulmuesin e rrezikshëm maqedonas larg katërkëndorit të Napolit, ndërsa tentoi edhe të shfaqej përpara duke ndihmuar manovrën ofensive.

Në minutat e fundit, pas një përplasje të mbrojtësit shqiptar ku pësoi një goditje në kofshë, Ançeloti vendosi të hidhet në fushë Luperton për të zëvendësuar Hysajn i cili nuk kishte ende 90 minutat e plotë në këmbët e tij. Ndërkohë, kriza e Napolit vazhdoi, pasi skuadra doli vetëm me një barazim 0-0 nga stadiumi mes vërshëllimave të tifozëve të vet të cilët duket se i kanë shpallur luftë skuadrës që aktualisht është në vendin e 7, 12 pikë larg kreut pas vetëm 12 javësh kampionat.