AKTUALITET, 6 Nëntor 2019, 09:20

Kontakte me kriminelë/ Shkarkohet nga detyra prokurori i dosjes “Babale”, Përparim Kulluri

Kontakte me kriminelë/ Shkarkohet nga detyra prokurori i dosjes


KPK ka shkarkuar nga detyra prokurorin e Krimeve të Rënda, Përparim Kullurin.

Sipas KPK-së prokurori ka pasur lidhje me kriminelë, gjetje këto që iu deklaruan në seancën dëgjimore që u zhvillua të hënën. Një nga çështjet në hetim të Kullurit ishte edhe Dosja “Babale”.

Seanca në KPK

Kulluri u përball të hënën në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit me dyshimet rreth një kontakti të papërshtatshëm me një person të dënuar në Greqi për kultivim narkotikësh dhe po ashtu të gjykuar në Shqipëri për tentativë vrasje. Kullurit po ashtu iu vu në dukje se dyshohej që kishte bërë deklarim fiktiv të një dyqani në Orikum, për të përfituar një vlerë më të lartë dëmshpërblimi prej shpronësimit.

Trupa gjykuese e kryesuar nga Olsi Komici, me relatore Brunilda Bekteshi dhe anëtar Lulzim Hamitaj, i vuri në dukje prokurorit edhe mbylljen pa veprime të një çështje ndaj një prokuroreje të Prokurorisë së Tiranës.

Kulluri, i cili ka filluar karrierën e prokurorit në Vlorë në vitin 1999, kundërshtoi gjetjet e KPK-së, por mendimet e tij nuk u morën parasysh në vendimin final të dhënë sot.

Kulluri u emërua fillimisht në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në vitin 2004.

Në vitin 2008, Kulluri u emërua drejtues i Prokurorisë së Shkodrës, detyrë të cilën e ka mbajtur deri në vitin 2013.

Me dekret të Presidentit të Republikës, ai është rikthyer sërish si prokuror i Krimeve të Rënda, detyrë të cilën e ushtronte edhe aktualisht.