AKTUALITET, 12 Shtator 2021, 13:35

Kavot nuk ishin ndërruar kurrë, ashensori i pacertifikuar/ Dalin të tjera detaje nga ngjarja në “Astir”, njëra prej të plagosurave shtatzënë

Kavot nuk ishin ndërruar kurrë, ashensori i pacertifikuar/ Dalin


Dalin të tjera detaje në lidhje me ngjarjen e rëndë që ndodhi gjatë mesnatës në zonën e “Astirit” në Tiranë, ku ashensori i një pallati u shkëput duke plagosur për pasojë dy gra.

“News 24” raporton se aksidenti ka ndodhur në kompleksin “Fratari”. Pas verifikimeve të policisë rezulton se banorët e pallatit të përfaqësuar nga administratori nuk kanë firmosur kontratë mirëmbajtje dhe kolaudimi për ashensorin dhe kavot dhe nuk janë ndërruar që kur ai është montuar.

Një tjetër detaj i rëndë është fakti që ashensori rezulton të jetë i pacertifikuar nga Inspektoratit Shtetëror teknik, ISHT.

Momentalisht ndodhet një prej grave, 30-vjeçarja me inicialet M.S., ka pësuar traumë në pjesën e kofshëve, por gjendja e saj është e qëndrueshme. Ndërsa e plagosura tjetër, shtetasja me inicialet M. Q, e cila ishte dhe shtatzëne, pasi ka marrë mjekim, është larguar për në banesë, në gjendje të mirë shëndetësore.

Në ashensor ndodheshin në momentin e aksidentit 4 persona, por fatmirësisht nuk ndodhi një ngjarje me përmasa tragjike.