AKTUALITET, 12 Shtator 2021, 10:09

Detaje nga ngjarja e rëndë në “Astir”/ Ashensori kishte kohë pa u kolauduar, në momentin që u shkëput ndodheshin katër persona. Policia merr në pyetje administratorin

Detaje nga ngjarja e rëndë në “Astir”/ Ashensori


Zbulohen të tjera detaje mbi ngjarjen e rëndë që ndodhi në mesnatë në zonën e “Astirit” në Tiranë, ku ashensori i një pallati u shkëput, duke lënë për pasojë të plagosura dy gra.

“News 24” raporton se përveç dy grave të plagosura, kur ndodhi aksidenti në ashensor ndodheshin edhe dy persona të tjerë që nuk pësuan lëndime.

Raportohet se njëra prej grave mori shërbim mjekësor dhe më pas u largua drejt banesës, ndërkohë që tjetra ndodhet ende e shtruar, pasi është e pavetëdijshme. Blutë nuk e kanë identifikuar ende gruan në fjalë. Sipas mjekëve e plagosura nuk është në rrezik për jetën.

Ndërkaq, policia ka marrë në pyetje administratorin e pallatit ku ndodhi ngjarja e rëndë. Dyshohet se ashensori nuk ishte kolauduar prej kohësh.

Policia po verifikon përgjegjësinë e firmës së kontraktuar për montim dhe mirëmbajtje të ashensorit.