TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Kimia Alizadeh, e vetmja femër fituese e një medalje olimpike në Iran, njoftoi se është larguar përgjithmonë nga vendi i saj për në Evropë.
"Më lejoni të filloj me një përshëndetje, një lamtumirë ose ngushëllime," shkruante 21-vjeçarja në një postim në Instagram duke shpjeguar pse po largohej.
"Unë jam një nga miliona gra të shtypura në Iran me të cilat kanë luajtur për vite me radhë".
Alizadeh u bë gruaja e parë iraniane që fitoi një medalje olimpike pasi rrëmbeu medaljen e bronzit në taekwondo në kategorinë 57 kilogram gjatë Lojërave Olimpike në Rio 2016.
E njohur me dashuri në Iran si "Tsunami", Alizadeh njoftoi se po linte vendin e saj të lindjes duke kritikuar ashpër regjimin në Teheran.
"Ata më morën kudo që të dëshironin. Unë vishja çfarëdo që të thoshin. Çdo fjali që më porositnin të thoja, unë përsërisja. Kurdo që e shihnin të arsyeshme, ata më shfrytëzonin", shkroi ajo.
"Unë nuk isha e rëndësishme për ta. Askush nga ne nuk kishte rëndësi për ta, ne ishim mjete," vazhdon Alizadeh, duke sqaruar se ndërsa regjimi festonte medaljet e saj, ajo kritikonte sportin që kishte zgjedhur: "Virtyti i një gruaje nuk është që të zgjasë këmbët!”
Larmi i saj nga vendi u raportua për herë të parë të enjten. Mediat iraniane shkruajnë se ajo ishte larguar drejt Holandës. Nga postimi i saj është e paqartë se në cilin vend ndodhet aktualisht.
Të Premten, kreu i Federatës së Taekwondo të Iranit, Seyed Mohammad Pouladgar, pohoi se Alizadeh i kishte siguruar babait të saj dhe trajnerit të saj se ajo po udhëtonte për pushime në një udhëtim që ishte paguar nga qeveria iraniane.
Ai hodhi poshtë raportet për "arratisjen" e Alizadan, duke i cilësuar thashetheme të motivuara politikisht nga mediat e huaja.
Alizadeh konfirmoi 'thashethemet' të shtunën, duke thënë se ajo "nuk donte të ulet në tryezën e hipokrizisë, gënjeshtrave, padrejtësive dhe lajkave" dhe se ajo nuk dëshironte të ishte në bashkëpunim me "korrupsionin dhe gënjeshtrat" e regjimit.
"Fryma ime e trazuar nuk përshtatet me lidhjet tuaja të ndyra ekonomike dhe lobet e ngushta politike.
Unë nuk dëshiroj asgjë tjetër përveç Taekwondo, siguri dhe një jetë të lumtur dhe të shëndetshme", tha ajo duke shtuar se nuk ishte ftuar të shkojë në Evropë.
Ajo tha se vendimi për largimin ishte shumë më i vështirë sesa fitimi i medaljes olimpike.
"Unë mbetem një vajzë e Iranit kudo ku jam", tha ajo.
Largimi i sportistes vjen mes protestave antiqeveritare që "pushtuan" Teheranin të shtunën pasi zyrtarët iranianë pranuan se kishin qëlluar aksidentalisht avionin ukrainas, duke vrarë të gjithë 176 personat në bord.
Kanadaja, Suedia dhe vendet e tjera, qytetarët e të cilëve u vranë, kanë rritur kërkesat ndaj Teheranit për të kryer një hetim të plotë dhe transparent.
Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit të SHBA, Morgan Ortagus, komentoi largimin e Alizadan.
"Irani do të vazhdojë të humbasë gratë më të forta nëse nuk mëson t'i fuqizojë dhe t'i mbështesë ato," tha ajo.