SPORT, 15 Qershor 2021, 12:31

Kampionët e Shqipërisë njohin kundërshtarin në Champions, Teuta do të përballet me ekipin moldav

Kampionët e Shqipërisë njohin kundërshtarin në

Teuta ka mësuar kundërshtarin për turin e parë të Ligës së Kampioneve.

Shorti i hedhur në Nion të Zvicrës, ka vendosur durrsakët përballë moldavëve të Sherif Tiraspol.

Teuta kampione është e pozicionuar në grupin e skuadrave jofavorite për turin e parë, duke pasur një koeficient relativisht të ulët (2.750), nisur nga fakti se ka mbi dy dekada që nuk merr pjesë në Ligën e Kampioneve.

Nga 16 klube që janë në grupin e favoritëve, kishte ekipe të cilat mund të cilësohen të pranueshme për “djemtë e detit”, por dje UEFA i ka zhgënjyer jo pak durrsakët me ndarjen e grupeve.

Teuta u vendos në Grupin 3 ku bënin pjesë, Ludogorets Razgrad (Bullgari), Sherif Tiraspol (Moldavi), Dinamo Tbilisi (Gjeorgji) dhe Kairat (Kazakistan).

Mundësitë ishin që të “peshkohen” nga durrsakët në këtë tur edhe kampionët e Gjibraltarit (Linkoln Red Imps), Malit të Zi (Buduçnost), Estonisë (Flora Talin) dhe Lituanisë (Zalgiris), por nuk ndodhi kështu.

Nga ana tjetër, lajm i mirë për durrsakët mund të quhet fakti që kanë shmangur përballjet me klube që kanë eksperiencë të madhe në Kupat e Europës dhe pikërisht Dinamo Zagreb (Kroaci), Legia Varshavë (Poloni) apo Ferencvarosh (Hungari), aty ku aktivizohet mesfushori i Kombëtares shqiptare, Myrto Uzuni.

Presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu, si preferencë në grupin e 16 skuadrave kishte pa dyshim malazezët e Buduçnostit, por, pse jo, edhe Shkëndija e Tetovës, që drejtohet nga Ernest Gjoka.