TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Edon Zhegrova mund të largohet nga Juventusi gjatë këtij afati kalimtar të verës, pasi drejtuesit e klubit italian janë të gatshëm të shqyrtojnë ofertat për reprezentuesin e Kosovës, por aktualisht nuk ka asnjë të tillë.
Sipas Tuttomercato, “Zonja e Vjetër” nuk e konsideron Zhegrovën si pjesë kyçe të projektit të trajnerit Luciano Spalletti, ndonëse deri më tani nuk ka mbërritur asnjë ofertë konkrete për 27-vjeçarin.
Aktualisht, Zhegrova ndodhet me skuadrën e Juventusit në turneun parasezonal në Azi, ku po përgatitet për sezonin e ri. Megjithatë, e ardhmja e tij në Torino mbetet e pasigurt dhe nuk përjashtohet një transferim para mbylljes së afatit kalimtar.
Sulmuesi kosovar nuk arriti të bindë në sezonin e tij të parë me fanellën bardhezi. Ai pati pak hapësira në formacion dhe e mbylli edicionin pa shënuar asnjë gol apo asistim.
Në total, Zhegrova regjistroi vetëm 525 minuta në të gjitha garat, duke u aktivizuar kryesisht si zëvendësues në pjesën e dytë të ndeshjeve.
Zhegrova iu bashkua Juventusit në verën e kaluar nga Lille për 15.5 milionë euro, ndërsa ka kontratë me klubin italian deri në verën e vitit 2030.
Mbetet të shihet nëse gjatë javëve në vazhdim do të ketë interes konkret për yllin kosovar, i cili synon të gjejë një ambient ku do të ketë më shumë minuta dhe rol më të rëndësishëm në fushë.