AKTUALITET, 9 Shtator 2020, 17:30

Jozefina Topalli: Rama mundet vetëm nëse largohet Basha!

Jozefina Topalli: Rama mundet vetëm nëse largohet Basha!

Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, një nga figurat emblematike të PD-së së shkuar dhe një nga kundërshtaret e forta ndaj Ramës, sa kohë ishte në parlament, ka goditur fort kreun e PD Lulzim Basha. Sipas Topallit me këtë kryetar opozite të korruptuar, PD e ka të pamundur të fitojë mbi kryeministrin aktual me gjithë pakënaqësinë që ka akumuluar ky i fundit.

“Nëse ai nuk ikën nga drejtimi i PD-së, Rama merr mandatin e tretë”, tha Topalli në një intervistë për Report TV. Duke hedhur poshtë zërat se ajo do të dalë në zgjedhjet e 25 prillit me një listë të saj ajo vazhdoi: “unë nuk njoh një kryetar tjetër opozite, gjatë kësaj periudhe që në një vit përpara zgjedhjeve, të paktën edhe për sy edhe për faqe, t’i shtohen vilat në mënyrë progresive sa herë ndodh diçka, o tërmet, o pandemi etj, madje pa bërë asnjë transparencë me një gjë të tillë. Unë nuk e kuptoj e as nuk e imagjinoj dot dhe as nuk ndodh, jo në Shqipëri s’ka ndodhur, por në asnjë vend të Ballkanit”.

Ndryshe nga zërat që e akuzojnë se po i shërben Ramës ajo nuk ka shfaqur asnjë tolerancë për mëkatet e kësaj qeverie: “Përballë një qeverie që është zhytur në skandale, kemi një opozitë që është tërësisht e pabesueshme dhe e rreme. Në kushte të tilla ka dy opsione. Opsioni i parë është që ai (Basha) të bëjë një hap mbrapa, nëse vërtetë do që Edi Rama të largohet, t’i lëshojë vendin dikujt tjetër që është aty brenda Partisë Demokratike. Sepse të gjithë besojmë se me një drejtim të ri të pakorruptuar Edi Rama në fakt do të ishte larguar prej kohësh, dhe jo të prisnim 2021. Nëse një gjë e tillë nuk ndodh, sigurisht që Rama duke pasur dhe të gjithë pushtetin lokal, që i ka dhuruar lideri aktual, duke pasur të gjithë Parlamentin dhe duke pasur një fushë politike pa opozitë reale, jo vetëm mandatin e tretë, por rrezikon që të shkojë përtej kësaj”, ka profetizuar ish nënkryetarja e PD-së.