BOTA, 29 September 2026, 11:16

Dekonspirohen agjentët/ FBI nën alarm pas sulmit kibernetik, hakerët vjedhin të dhënat e dhjetëra mijëra punonjësve

Një sulm kibernetik ndaj FBI-së mund të ketë ekspozuar të dhënat personale të dhjetëra mijëra punonjësve aktualë dhe të mëparshëm të agjencisë amerikane, në atë që po konsiderohet si një nga shkeljet më serioze të sigurisë së informacionit në historinë e institucioneve federale amerikane, raporton The New York Times.

Sipas gazetës amerikane, grupi i hakerëve i njohur si ShinyHunters ka arritur të vjedhë të dhëna nga portali i rekrutimeve të FBI-së, FBIJobs.gov. Mes informacioneve të komprometuara dyshohet se janë adresat e banimit, numrat e sigurimeve shoqërore, numrat e telefonit, datëlindjet, pozicionet e punës dhe të dhëna mbi detyra sensitive brenda agjencisë.

Në një memorandum të brendshëm, drejtuesit e FBI-së kanë pranuar se bëhet fjalë për një incident kibernetik dhe se të dhëna personale të stafit janë vjedhur. Agjencia po punon me supozimin se hakerët mund të kenë marrë të dhënat personale të të gjithë punonjësve të saj dhe u ka kërkuar punonjësve të tregohen të kujdesshëm ndaj kontakteve të dyshimta dhe kërcënimeve të mundshme.

Analiza e një pjese të materialeve të siguruara nga The New York Times tregon se të dhënat përfshijnë jo vetëm informacione personale bazike, por edhe emrat dhe kontaktet e familjarëve, numra identifikimi të përdorur për programin TSA PreCheck, si dhe informacion mbi njësitë ku punojnë agjentët dhe emrat e eprorëve të tyre. Në disa raste, të dhënat zbulojnë pozicione në fusha veçanërisht të ndjeshme si kundërzbulimi, lufta kundër narkotikëve dhe dosjet që lidhen me Rusinë, Kinën dhe Iranin.

ShinyHunters pretendon se ka siguruar gjithashtu të dhëna mjekësore dhe materiale nga kontrollet e sigurisë së punonjësve. Autoritetet amerikane nuk e kanë konfirmuar ende shkallën e plotë të informacionit të vjedhur, por zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë amerikanë kanë thënë se të paktën një pjesë e dokumenteve të publikuara nga hakerët duket autentike.

Ekspertët paralajmërojnë se rreziku nuk lidhet vetëm me publikimin e mundshëm të materialeve në internet. Të dhënat mund t’u shiten grupeve kriminale ose shërbimeve të huaja të inteligjencës dhe të përdoren për identifikimin, gjurmimin apo kërcënimin e agjentëve dhe familjarëve të tyre, përfshirë edhe personelin që punon në role të fshehta.

ShinyHunters fillimisht kërcënoi se do t’i publikonte të dhënat nëse FBI nuk hiqte një paralajmërim publik kundër grupit, por më pas deklaroi se nuk kishte ndërmend t’i publikonte dhe se nuk do të ndërmerrte veprime të tjera me materialet. Ekspertët e sigurisë mbeten megjithatë skeptikë, duke theksuar se të dhënat mund të përdoren ose të shiten edhe pa u publikuar hapur.

FBI ka deklaruar se hetimi vijon dhe se është në komunikim me personat që mund të jenë prekur nga sulmi. Ende nuk është përcaktuar me saktësi se sa persona janë komprometuar, por vetë hakerët pretendojnë se bëhet fjalë për dhjetëra mijëra individë.