AKTUALITET, 8 Gusht 2018, 15:48

Ish-ambasadori i Shqipërisë në OKB: Biseda me Berishën kur e akuzuan se po i çonte naftë Jugosllavisë

Ish-ambasadori i Shqipërisë në OKB: Biseda me Berishën kur e
Pëllumb Kulla, ish ambasadori i Shqipërisë në kohën kur Tirana zyrtare akuzohej për thyerjen e embargos së naftës me Jugosllavinë, ka rrëfyer 12 vjet më parë bisedën me Presidentin e asaj kohe, Sali Berisha për akuzat që i bëheshin vendit tonë.

Në një intervistë të dhënë për Adrian Thanon në gazetën Shekulli, Kulla thotë se në OKB ishin të shumtë diplomatët e huaj që denonconin Shqipërinë se çonte naftë kontrabandë në Jugosllavi, ndërkohë që për këtë të fundit kishte një vendim nga komuniteti ndërkombëtar për ta izoluar.

“Në Këshillin e Sigurimit, strukturat monitoruese raportonin mbi shkeljet e sanksioneve që i ishin vendosur Federatës Jugosllave, të mbetur tanimë si një bashkim i veç dy republikave, të Serbisë dhe të Malit të Zi. Shumë njerëz, në Misionet e Bashkimit Europian (BE) dhe të Organizatës së Sigurimit dhe Bashkëpunimit për Evropën (OSBE) vigjëlonin rreth e qark kufijve të Jugosllavisë, që brenda në të, të mos hynte asnjë pikë karburanti. Përpara se kamionët dhe traktorët, karburanti mbushte serbatorët e tankeve, autoblindave dhe avionëve të Millosheviçit, që mbillnin vdekje në Bosnjë, Kroaci dhe Kosovë. Depërtimet nga kufiri i Shqipërisë, ishin shpesh temë e ditës”, thotë Kulla.

I pyetur nëse ia ka raportuar Berishës këto shqetësime të OKB-së, ish ambasadori kujton “Pa asnjë dyshim që e bëra. Atë ditë dërgova raportin me shkrim dhe pas ca javësh në Tiranë, ia tregova më në hollësi efektin e dëshmive mbi shkeljet e sanksioneve, pra: thyerjes së embargos, siç përdoret këtu më thjeshtë. Më hollësisht, i rrëfeva dhe për bisedën me koordinatorin Napolitano”.

“Ai (Berisha), në një gjëndje emocionale të përngritur, më porositi që zotërinjve rreth e qark Këshillit të Sigurimit, t’u thosha se ne i kishim dhënë fund asaj epoke, kur qëllohej me armë kundër fshatarëve që kapërcenin matanë kufirit. Dhe nuk do të qëllonim më, daç të ishin ata të ngarkuar, daç të ishin pa ngarkesë! “E dimë,- tha Presidenti,- që shkelet kufiri, që përcillet andej dhe naftë e ushqime. Do të bëjmë të gjitha përpjekjet që ta frenojmë këtë evazion”. i mbaj mend tekstualisht fjalët e tij, pasi unë në atë kohë besoja kryekëput në ato që thoshte ai. E sidomos, sepse i thoshte me ashk”.