AKTUALITET, 6 Dhjetor 2019, 23:11

Interi nuk ia del dot ndaj Romës, kryesimi përsëri në rrezik

Roma ka ndalur marshimin e Interit kryesues të Serisë A, duke bllokuar skuadrën e Antonio Kontes në një barazim pa gola në “San Siro”. Një ndeshje ku skuadrat kishin mungesa të shumta, të cilave iu shtuan dëmtimet e Santon dhe Kandreva, e ku nuk munguan rastet për gol, por askush nuk arriti të tundte rrjetën.

Në pjesën e parë ishte Interi që krijoi rastet më të mira, edhe pse Roma dominoi mbajtjen e topit. Verdhekuqtë gabuan disa herë para zonës së tyre duke i dhënë mundësinë skuadrës vendase që të rrezikonte por Lautaro Martinez e Brozoviç shpërdoruan raste të mira shënimi.

Në pjesën e dytë, Interi ishte më kërkues, duke gjuajtur shpesh drejt portës. Por Lautaro Martinez nuk ishte po aq i saktë sa në takimet e mëparshme para katërkëndorit dhe u ndal disa herë nga Mirante, duke dëshpëruar zikaltërit që mund të humbin përsëri kreun nesër nëse Juventus mposht Lacion.