IDE, 13 Qershor 2026, 20:41

Në kërkim të gjenezës së “Shqipërisë së re”

Në kërkim të gjenezës së “Shqipërisë

Të shtunën e kësaj fundjave kur ndonjëri mund të kishte zgjedhur kohën me diell dhe plazhin për tu arratisur nga e përditshmja, ndërsa dikush tjetër mund të kishte shfrytëzuar hapsirën e pushimit për të përmbyllur detyrimet familjare, që nuk i përmbush dot gjatë orëve të punës, i pashë Arlind Qorin dhe dhe aktivistët e tjerë të Lëvizjes Bashkë, fillimisht të bëheshin njësh, paradite, me banorët që shembën gardhin e tokës së vjedhur në Rrjoll, e më vonë, pasdite, duke protestuar në emër të një Shqipërie të re, në bulevardin qëndror të Tiranës. Natyrisht, tani, kur prej gati dy javësh rinia shqiptare e shkërmoqi tavanin e xhamtë të një regjimi që të korrupton ose të shantazhon sapo i del kundër, ky nuk mund të konsiderohet as një gjest i veçantë, as një akt guximi. 

Këtej e tutje, ata që e kanë kuptuar se kanë mbi krye një kleptokrat që i rrëmben përditë të ardhmen, duke punuar vetëm për një grusht të pasurish, janë bërë shumicë në këtë vend. Kjo nuk duket vetëm në vendosmërinë e atyre që protestojnë në Tiranë, as vetëm te të tjerët që i mbështesin nga Korça apo Milano, Durrësi apo Londra, Vlora apo Parisi, por edhe tek ata qytetarë që dalin e duartrokasin në ballkone, kur vala e marshuesve derdhet poshtë shtëpive të tyre apo tek të tjerët që lënë tryezat e kafeneve për tu bërë një trup me turmën.

Pra, sot është krenari dhe nder të jesh aty ku po përgatitet ndryshimi i historisë. 

Por, tek i shihja ata aktivistë të vendosur, fillimisht në Rrjoll, e menjëherë më pas në protestën e përditshme, mendja ime thirri nga kujtesa dy episode kur ata ishin të izoluar dhe fare pak. 

I pari qe në protestën për Zvërnecin, kur ata ngrinin zërin atje buzë lagunës, duke mbështetur banorët që pretendonin grbitjen e tokës dhe ambientalistët që shqetësoheshin për shkatërrimin e një zone të mbrojtur. Në atë kohë, aspak të largët, revoltën e tyre e patën bojkotuar njëzëri pothuajse të gjitha mediat, që nuk donin telashe me bandat që kishin tjetërsuar pronat, me oligarkët që qëndronin pas tyre, e aq më pak me familjen presidenciale të një shteti, që këtej nga anët tona ka hijen e atij që të bën gjëmën. Kundër saj revolte që lindi në Zvërnec ishte edhe opozita zyrtare që, për të njëjtat arsye, kërkonte ta mbyste me heshtje. Duhej të ishe ose donkishtot, ose njeri me bindje dhe ideale të forta për ta vazhduar i vetmuar atë betejë. 

Duhet të bëje njëkohësisht llogaritë me censurën e sistemit të informacionit, badigardët privatë në koalicion me policinë e shtetit, mekanizmin e propogandës, që herë të damkoste si antikapitalist, herë si marksist. 

Por, pavarësisht nga të gjitha këto, ata u gjendën në momentin e duhur, në vendin e duhur, atëhere kur në Zvërnec ra pika që derdhi gotën.  

Episodi i dytë nuk daton këtu e dy javë, por rreth dy vite më parë. Atëhere kur u shfaq në publik ideja se në lulishten pas Pallatit të Kulturës do të ndërtohej kulla më e lartë në kryeqytet, Mali i Tiranës. I mbaj mend si sot ato imazhe. Ndërkohe që TV-të e mëdha e pomponin me kronika këtë zhvillim që ndodhte falë udhëheqësit largpamës që kishte ditur të thithte studio arkitektonike me famë ndërkombëtare si Cebra, për ta hijeshuar Tiranën me një kullë 185 metra të lartë, ata pak protestuesë manifestonin kundër rrethimit të një prej lulishteve të fundit që i kishte mbetur qytetit. 

Edhe atëherë Arlind Qori dhe ndjekësit e tij, që e denonconin këtë përbindësh si simbolin e një pakti të pazëshëm të një elite të korruptuar, nuk u tallën dhe përbuzën vetëm nga militantët e pushtetit, ata u akuzuan e u përgojuan edhe nga opozita, me alibinë se thjeshtë po i shërbenin luftës së Lalit kundër shefit. Sot, dy vite më pas, përtej zhurmës së atëherëshme, ne e kemi më të thjeshtë të kuptojmë se kush ka pasur të drejtë. 

Pas publikimit të fundit të dosjeve të SPAK, ne kemi mësuar se kompania “Nova Construction”, që do e ndërtonte atë, ishte një nga shtyllat që mbanin në këmbë sistemin e pastrimit të parave në Shqipëri, duke bërë të mundur shndërrimin në beton, në qëndër të Tiranës, të miliardave të përfituara nga trafiku i kokainës nga Amerika Latine drejt Evropës. Ndonse jo të shumtë në numër, me banderola që kushtonin lirë, por domethënëse në simbolikë, ata nuk u tërhoqën.

Arsyeja qe e thjeshtë: “Mali i Tiranës” qe stereotipi i një pushteti që mbahej në këmbë përmes një ekonomie kriminale, që pasuronte pak vetë, duke e bërë qytetin të pa arritshëm për njerëzit e zakonshëm, duke pamundësuar blerjen e një apartamenti për çiftet e reja apo marrjen me qera nga studentët. Ai “mal” qe monumenti që lartësonte në qendër të kryeqytetit, krimin, pabarazinë mes qytetarëve, shurdhërinë e vendimmarrjes dhe paktin me djallin që kanë bërë ata që duan të qëndrojnë me çdo kusht në pushtet.

Përballë atij mali mund të dukeshe i vogël; kundrejt atyre 50-60 kateve, të ishte vetëm dhjetra protestues, mund të dukej fare pak. Por besimi në një kauzë të drejtë, bindja se një ditë do të bëhen shumë ata që do duan që ta shembin këtë model, mund të jepte forcën për të vazhduar.   

Pikërisht, në këto dy episode, apo tek të ngjashme të tyre, duhet kërkuar tharmi i asaj të cilës po i gëzohemi sot: ndërgjegjësimi i qytetarëve dhe vrasja e frikës për ti thënë “mjaft më” një sistemi të ngritur mbi vjedhjen, krimin, arbitratitetin dhe rrjedhojave të të gjitha këtyre, që shërbejnë për ti bërë më të pasurit, gjithnjë e me të pasur dhe më të varfërit, gjithnjë e më të të varfër.

Ato dëshmojnë se mjaftojnë edhe disa pak vetë, me bindje dhe ideale të forta, për të mbajtur të ndezur qiririn e flakës që do zmadhohet më vonë edhe në momentet kur shoqëria duket e përgjumur, opozita e kapitulluar, mediat jashtë funksionit dhe shumica e njerëzve të frikësuar. 

Ato tregojnë se edhe regjime mbytëse, si ky që instaloi rilindja, nuk mund ta asgjesojnë dot përfundimisht, as falë korruptimit, as falë zbehejs së çdo kundër pushteti, forcën e kauzave të drejta dhe magjinë e njerëzve, sado të pakët në numër, që besojnë në idealet e tyre.

Në këtë kuptim, ne po përjetojmë sot revoltën në emër të Shqipërisë së re edhe sepse Arlind Qori dhe Lëvizja Bashkë e përkundën ëndrrën e saj, kur ende askush nuk besonte në të. 

Natyrisht, ky që disa e quajnë revolucion e të tjerë kryengritje rinore, me gjasë do e ndryshojë përgjithmonë sistemin e sotëm. Edhe me kaq sa ka bërë, ai ka drithëruar e qesharakëzuar pushtetin, ka detyruar opozitën në një piruetë 180 gradëshe, ka diskredituar mediat, që kanë kaluar nga censura në shklyerje të ekraneve. 

Pra edhe sikur sot të mbyllet, ai prapë ka arritur objektiva të mëdha. Por mbi të gjitha ai na ka mësuar një gjë: na ka stërvitur të dimë të pikasin ata që mbajnë flakën ndezur edhe atëhere kur shumica janë të fjetur. Ky është mësimi që na kanë dhënë çunat dhe gocat e Lëvizjes Bashkë edhe duke u angazhuar, të pakët në Zvërnec, edhe duke protestuar, si të vegjël, përballë Malit të Tiranës. Dhe është pikërisht kjo gjë që i ka shndërruar ata në pasqyrën me të mirë për të parë skicimin fillestar të asaj për të cilën sot flasin të gjithë: Shqipërisë së nesërme./Lapsi