IDE, 11 Qershor 2026, 17:38

Non grata e Berishës mund të ketë rënë. Po ajo e Bulevardit?

Non grata e Berishës mund të ketë rënë. Po ajo e

Nëse lajmi rezulton i vërtetë dhe Sali Berisha mund të udhëtojë sërish drejt Shteteve të Bashkuara, atëherë ai ka fituar më në fund betejën që ka zhvilluar për pesë vjet me radhë kundër vendimit të Departamentit Amerikan të Shtetit.

Është një fitore personale. Ndoshta edhe politike për të dhe mbështetësit e tij. Por problemi është se Shqipëria e vitit 2026 nuk është më ajo e vitit 2021.

Sepse ndërsa Berisha luftonte për të hequr damkën amerikane, vendi ndryshoi. Ndryshuan qytetarët. Ndryshoi perceptimi publik. Dhe mbi të gjitha, lindi një zemërim i ri politik që nuk ka më shumë durim as për Ramën dhe as për Berishën.

Për vite me radhë pyetja e preferuar e Edi Ramës ishte: “A e kalon dot oqeanin?”

Sot duket se ajo pyetje ka humbur rëndësinë.

Pyetja reale është tjetër: “A e kalon dot Bulevardin?”

Sepse nëse sheh protestat e ditëve të fundit, aty nuk dëgjon askënd të kërkojë rikthimin e Berishës. Nuk dëgjon askënd të festojë fundin e non gratës. Nuk dëgjon askënd të kërkojë rehabilitimin e klasës së vjetër politike.

Përkundrazi.

Në shesh dëgjon thirrje kundër gjithë sistemit politik të tridhjetë viteve të fundit. Dëgjon “Rama ik”, por po aq shpesh dëgjon edhe “Rama në burg, Berisha në burg”.

Kjo është arsyeja pse edhe nëse Berisha mund të kalojë nesër kufirin amerikan, mbetet e paqartë nëse mund të kalojë kufirin politik që po ngrihet çdo mbrëmje mes protestuesve dhe klasës së vjetër politike.

Në fund të fundit, non grata amerikane ishte një vendim administrativ që mund të ndryshohej me një firmë.

Non grata qytetare është shumë më e vështirë.

Nuk hiqet me lobim.

Nuk hiqet me një telefonatë.

Nuk hiqet me një vizë.

Dhe nuk hiqet as me një deklaratë triumfi.

Sepse ndryshe nga Departamenti i Shtetit, qytetarët nuk publikojnë komunikata. Ata japin verdiktin e tyre në shesh.

Dhe deri tani, verdikti që po dëgjohet në Bulevard është se problemi nuk është vetëm Edi Rama.

Problemi është edhe sistemi politik që e solli Shqipërinë deri këtu.

Një sistem ku për shumicën e protestuesve bëjnë pjesë si Rama, ashtu edhe Berisha.

Prandaj, nëse non grata amerikane ka rënë, mbetet ende për t’u parë nëse ka rënë edhe ajo që po formësohet çdo mbrëmje në shesh.

Sepse një politikan mund të kalojë kufirin e SHBA-së.

Por kjo nuk do të thotë se kalon edhe gjykimin e qytetarëve të vet.