IDE, 15 Prill 2022, 20:37

Pështymat ndaj Bashës, nga sot mund ti kthehen Berishës në fytyrë

Pështymat ndaj Bashës, nga sot mund ti kthehen Berishës në
Andi Bushati, Sali Berisha

Sali Berisha po vazhdon në mënyrë inerciale akuzat tashmë të kota ndaj Lulzim Bashës, sa herë që i paraqitet kjo mundësi. Edhe në konferencën e fundit me gazetarë ai tregoi për drekat që ish i përkëdheluri i tij paskësh konsumuar me Aqif Rakipin, personazhin që PD-ja e ka akuzuar gjithnjë si njeriun që blen vota në favor të Ramës. Madje Berisha pretendoi se Basha ka bërë ç’është e mundur që ta përfishjë “Qifen” në koalicionin e djathtë, para zgjedhjeve të 25 prillit. 

Këto sulme pasuan denoncimin e një dite më parë, se Luli nuk ka të drejtë të marrë vizë amerikane, për shkak se po hetohet në këtë vend për mënyrën se si ka lobuar me paratë e PD-së. Kjo aferë, që tashmë ka marrë emrin e lobistit Nik Muzzin, i shtrohet asaj të lidhjeve kriminale për pastrimin e parave, e etiketuar si Toyota Yaris, asaj të biznesit me Ramën për portin e Durrësit, asaj të kullave që ishin planifikuar të ngriheshin tek PD-ja, e asaj të bashkëpunimit me kryeministrin për të fshehur aferën e inceneratorëve, e kështu me radhë.

Ndonëse është e vështirë të besohet se ish biri politik i preferuar u gdhi papritmas në “gjeni të së keqes”, ndonëse një pjesë e mirë e këtyre denoncimeve nuk janë të faktuara, Sali Berisha vazhdon me të njëjtin pathos ti artikulojë ato pa u skuqur dhe pa u turpëruar, njësoj si në ditën e parë kur nisi betejën për rrëzimin e Bashës. 

Por, midis dy kohëve ka një ndryshim esencial. Në shtator të vitit të shkuar, pasi u përjashtua nga PD-ja, Sali Berishës i lejohej gjithçka. Si ata që e duan, po ashtu edhe të tjerët që e urrejnë, janë mësuar tashmë me faktin se gjuha e shthurur, shpifja si armë politike, denigrimi deri në asgjesim i rivalit, janë pjesë e bagazhit të tij të luftës. Duke i përdorur ato edhe një herë më shumë kundër Bashës, ai do të arrinte të mobilizonte fanatikët e vet dhe nuk do të humbiste asgjë tek ata që e njohin si të tillë.

Situata sot është shumë më e ndryshme nga shtatori i vitit të kaluar. Tani Basha është rrëzuar nga karrigia, atij i kanë mbetur pas vetes vetëm një grusht mbështetësish, ndaj si i tillë, ai nuk ka më asnjë përgjegjësi për fatin e PD apo të opozitës.

Kjo peshë ka rënë sërish mbi supet e regjura të Sali Berishës. Eshtë ai që ka marrë përsipër të bëjë liderin përbashkues të demokratëve dhe ti udheheqë ata në një kryqëzatë morale kundër regjimit. Nga ky opozicion, akuzat e tanishme kundër Lulzim Bashës, sterrosin së pari atë vetë. Sepse vërtetë Berisha i ka kërkuar falje militantëve se e duroi ish kryetarin edhe pas disfatave të njëpasnjëshme elektorale, por ai nuk mund të shtiret sikur nuk ka ditur asgjë nga ato që po denoncon sot. Nëse kanë ekzistuar ndonjëherë realisht edhe drekat me Qifen edhe përpjekjet për të kriminalizuar listën e deputetëve, edhe financimet ruse edhe lidhja me pastruesit e parave edhe aferat imobiliare, ato kanë nisur shumë kohë përpara, pikërishit atëherë kur lideri historik ishte mbrojtësi më i flaktë i birit të mëvonshëm plangprishës.

Pra ka tre mundësi: ose Sali Berisha i ka ditur të gjitha këto dhe ka heshtur në mënyrë të pamoralshme, ose nuk i ka kuptuar dhe për rrjedhojë është treguar sylesh apo i paaftë, ose asgjë e tillë nuk ka ekzistuar dhe ai thjesht mashtron.

Cili do nga këto versione të jetë i vërteti ai është shkatrrimtar për një lider të ardhshëm opozite. Prandaj akuzat që deri dje e ndihmuan Berishën të mposhte Bashën, atij shumë shpejt mund ti shndërrohen në bumerang. Të gjitha pështymat këtej e tutje mund ti kthehen në fytyrë.

Pikërisht për këtë, qoftë dhe për interesin e vet të ngushtë, Berishës i volit të kthehet tek portretizimi më real i atij që e pompoi dhe e mbrojti në krye të PD-së. Lulzim Basha u tregua i paftë të ishte shefi i një opozite të pakompromis në kohën e një pushteti autarkik. Ai nuk pati as forcën për ti rezistuar dhëmbë për dhëmbë regjimit, as dinjitetin për të mos u përkulur para diplomatëve që i shërbenin atij, dhe as distancën e nevojshme për të mos u joshur nga tundimet e oligarkëve pranë Ramës. Të gjitha këto qenë të mjaftueshme që ai ta mbyllte, ashtu sikurse e mbylli, misionin e vet. Por nga këtu, ta vizatosh atë, pa fakte, si një njeri të përzier me finacimet ruse, të implikuar me larjen e parave të pista, apo se ka shitur fatin e PD-së për interesa financiare është vërtet tepër. 

Nëse Sali Berisha përdori të vërteta dhe të pavërteta, për të arritur qëllimin e tij në rolin e sfidantit, atij nuk i leverdis ta bëjë këtë edhe nga pozicioni i liderit. Përndryshe do të jenë gjithnjë e më të shumtë, jo vetëm ata që do ti thonë ku ishte ti kur ndodhnin këto, por mbi të gjitha ata që do ti kërkojnë garanci: pse duhet të të besojmë se nuk përsëriten rishtaz?/ Lapsi.al/ 

*Titulli origjinal: Akuzat ndaj Bashës që denoncojnë Berishën