IDE, 19 Shkurt 2022, 16:45

Bigbrother mania, histeria e kotësisë

Bigbrother mania, histeria e kotësisë

Të jesh konkurues!

Kjo është një përpjekje konstante në të gjitha aspiratat njerëzore, në të gjitha profesionet dhe në të gjitha kohët. Kjo është baza e ecjes përpara të individit, e, për pasojë, edhe të shoqerisë.

Nëse një shkencëtar është konkurues e ambicioz, mundet që, shumë shpejt ambicies së tij ia ndien dobinë edhe ti që nuk e vret mendjen për asgjë. Se, fjala vjen, ai shkencëtari, mundet të zbulojë një ilaç, që, fap, me një kokërr, të zgjon ty dëshirën për punë.

“Mos o Zot”!, do thonë shumë prej nesh, jemi rehat pa atë ilaç…

Nejse, kjo eshte temë tjetër…

A duhet të rendë media pas shijeve të publikut apo te ndikojë në edukimin e këtyre shijeve, qoftë edhe përmes një kostoje në audiencë? Cili është pika kritike që edhe publiku të të ndjekë por edhe niveli përmbajtësor dhe estetik të mos cënohet në ekstrem?

Kjo është një pyetje 1 milion dollarëshe… Nëse një televizion komercial, gazetë ose blog, e ka të lidhur ekzistencën me paranë, atëherë është e pamundur të bëhet misionar i edukimit të shijeve. Këto media do të bëjnë sondazhe se çfarë pëlqen publiku, dhe, do përpiqen që të ofrojnë produktin më të lirë prej të cilit të nxjerrin fitimin më të madh.

Kështu do të rrimë në kënetën e Anadollit dhe të Mumbait me çallma, sulltanë e anadollakë. E vërteta është që ky kostum nuk është se na rri keq. Një popull dembel, melodramatik e njëkohësisht krenar. Një popull që përton të protestojë, pëlqen të vajtojë e adhuron të viktimizohet. Atëherë, ta lëmë në gjumin obllomovian duke i dhënë aspirinën e tij, kotësinë, jetën e të tjerëve. Telenovelat janë hipnoza e tij. As hashashi nuk ka kaq efekt në trurin e këtij njeriu sesa telenovela.

A ka një telenovelë më të bukur se sa vuajarizmi? Të përgjosh çfarë bëjnë të tjerët ka qenë dhe është një tërheqje universale e njerëzimit, ky nuk është një fenomen shqiptar. Por tek shqiptarët ky fenomen ka një dimension shumë të thellë.

*****

Në këtë këndvështrim, nuk kishte sesi Big Brotheri, programi i ndërtuar mbi bazën e përgjimit të syrit popullor 24 orë në 24, të mos ishte programi më i ndjekur i kombit shqiptar, në të dyja anët e kufirit. Më i komentuari, më i paarsyeshmi, më i koti. Dhe pikërisht për këtë të fundit, më i lavdishmi.

Lavdi kotësisë!

Personazhet që shkojnë atje nuk kanë nevojë të jenë të dijshëm – i dijshmi, veçanërisht ai, do të dështojë, qysh javën e parë. Ky do të ishte një ves i padurueshëm për banorët, thellësisht përçarës. Ata duhet të jenë si shikuesi më i thjeshtë, duhet të jenë kavia e eksperimentit tonë social-popullor. Çdonjëri mund të jetë aty e, bash kjo arsye është çelësi i suksesit.

Po shkojmë në nivelet bazike duke spekuluar me injorancën dhe kotësinë. Autosugjestion kolektiv, mani.

Një gazetare i krahason personazhet e BB me heronjtë grekë të antikitetit. Pa hezitim bën krahasimin e Ilirit dhe Donaldit me duelin e Akilit dhe Hektorin. Një tjetër flet me bindje që “filani” është lojtar i madh, një superlojtar. Një gazetar kishte bërë një shkrim ku thoshte që politikanët të ndjekin taktikat e Bigbrotheristëve! Ja seç shkruante gazetari (ndërmjet të tjerave):

“Unë besoj se një sukses i tillë televiziv do ta ndikojë (në mos e pastë bërë) edhe komunikimin politik në tërësi, strategjitë dhe taktikat e marketingut politik në Shqipëri. Njerëzit e “fabrikomunikimit” politik janë duke ndjekur në heshtje se çfarë, si dhe pse pëlqehet nga publiku vendës, sidomos nga ai në moshë zgjedhore, dhe si, nën këto ligjësi që mund të parapërpunohen, mund të paketohet komunikimi politik i subjektit për të cilin punojnë. Një dyshim më thotë se këtë e bënin edhe më parë, me formatet e thjeshta të Big Brother-it”.

Pra, po u kërkonte politikanëve të studiojnë sjelljen e Beniadës, Ilirit apo Donaldit dhe tu shërbejnë si modele për komunikimin e tyre publik. Mund të ishte edhe pak më i drejtpërdrejtë, të thoshte që fituesi i Big Brotherit duhet të bëhet deputet! Më mirë mjeshtri i madh sesa kopja e tij. Halili nga Kosova, një njeri me sens humori që e përzien mrekullisht me të vërtetën, tregonte ethet e pritjes me një fotografi ku shfaqej me një lëng çudibërës që, sipas tij, do ta ndihmonte kohën të afrohej. Në orën 20.00 ai u vesh solemn, si për dasëm, duke e lehtësuar sadopak tensionin…Rrugët e Prishtinës u zbrazën, të Tiranës gjithashtu.

Tensioni në maksimum!

Spektakli filloi. Drejtuesja lajmëroi shikuesit dalldisës se sonte ishte vet e dytë në moderim! Kjo ishte si goli në minutën e parë të finales së Kupës së Botës! Publiku mallëngjehet, fillojnë thirrjet e kryepersonazheve të BB: “Edi, Edi”. Janë për regjisorin, burrin e moderatores. Ai shihet si meritor për këtë arritje spektakolare. Kjo e çon për pak çaste imagjinatën e publikut në skenat e nxehta mes moderators dhe regjisorit. Kishte mbetur vetëm ta transmetonin “live” momentin e testit nga Arbana…Apo edhe më shumë? Ndoshta herë tjetër. Agimi, miku im, avokat i njohur, mendon se Arbana e përballoi me dinjitet barrën. “Ndonëse me beb në bark” – nuk harron ai. Muhamedi, gazetari nga Kosova falenderon moderatoren që po shkon në publicitet dhe po u jep mundësi të marrin frymë…. Neritani, kritikon zellin e elitarëve mediokër për të kritikuar BB…

E dija që çdo zë kundër histerisë do merrej për xhelozi. Jam përpjekur maksimalisht të mos e ndjek atë program. Ia kam arrit me shumë vështirësi, duke e detyruar veten. Nuk ka joshje më të madhe se kotësia. Jane Austen thotë diku që: “Po të kisha qenë e dashuruar, nuk do të kisha qenë më e verbër. Por kotësia, jo dashuria, ka qenë marrëzia ime”.

Dua të them, kurrsesi nuk e vë në dyshim fuqinë tërheqëse të kotësisë. Kotësia është një magnet universal.

Por këtu kemi të bëjmë me tallava-kotësi, nivelin bazë të saj.Nuk ka kurrfarë sofistikimi, shije, stili apo talenti. Ka “më lër të flas” si idiomë bazë dhe gajasje histerike sugjestionuese.

Atëherë si të shpëtojmë nga kjo histeri kolektive?!

Unë mendoj se ndërhyrja e shtetit është e domosdoshme në këtë rast. Po sulmohen emocionet e fëmijëve duke krijuar idhuj të kotësisë, dembelizmit, banalitetit. Gjithë përpjekja për të ushqyer kuriozitetin për shkencën dhe dijen po hidhet në erë përmes modeleve të lehta pupël. Më është dashur mjaft kohë të flas për vlerat dhe punën me djalin tim 11 vjeçar, i cili u duk se më mirëkuptoi. Por zgjodhi të shkonte te dhoma tjetër sapo filloi BBV. Madje, shpesh herë, vinte tinëz për të verifikuar nëse edhe unë e kam çuar televizionin atje….

Në programacionin e një televizioni, për një javë, janë 56 orë që i përkasin kohës më të shikuar, nga ora 16.00-24.00 (8 orë* 7 ditë). Nga këto 56 orë, pothuaj 14 i janë lënë ekskluzivisht BB. Përveç programeve të tjera ku flitet për të. Pra na e mori 25% e kohës televizive të një Televizioni Kombëtar.

Nuk është një platformë televizive me pagesë apo televizion i dorës së dytë, është Televizioni numër 1 në Shqipëri! Që po na shqep me “hashash televiziv” për të na rritë nivelin e serotoninës dhe manipuluar mendjet e fëmijëve.

Në emër të tyre duhet t’i kërkojmë shtetit të na mbrojë nga Big Brotheri në Top Çhannel. TCH është një pasuri kombëtare jo pronë e pronarëve. Valët e transmetimit janë publike aty nuk mundet të masturbohet kolektivisht. Ligji duhet ta ndalojë një program të tillë! Sic ndalohet propaganda fetare, terroriste, raciste, reklama e duhanit, e alkoolit, homofobia a ku e di unë se sa gjëra të këtilla, ndalohen me ligj edhe Big Brotheri. Si dëmi më i madh që po i bëhet fëmijëve tanë. /Gazeta Express/