TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Dje Parlamenti i Shqipërisë vendosi të ndryshojë Kushtetutën e vendit, përkatësisht nenin 179/b, pika 8 të saj, që thoshte:
“Mandati i anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionerit Publik është 5 vjet nga data e fillimit të funksionimit tyre, ndërsa mandati i gjyqtarëve të Kolegjit të Apelimit është 9 vjet. Pas shpërbërjes së komisionit, çështjet e papërfunduara të rivlerësimit shqyrtohen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, sipas ligjit. Çështjet e papërfunduara të rivlerësimit të prokurorëve shqyrtohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, sipas ligjit. Pas shpërbërjes së komisionerëve publikë, kompetencat e tyre ushtrohen nga Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme. Ankimet ndaj vendimeve të komisionit ende të papërfunduara do të shqyrtohen nga Gjykata Kushtetuese.”
Trupës rivlerësuese të Sistemit të Drejtësisë, sipas këtij neni të Kushtetutës, i mbaronte afati 5 vjeçar në Majin e këtij viti. Pas kësaj date, detyrat e KPK dhe Komisionerit Publik do t’i kryente respektivisht KLGJ (Këshilli i Lartë Gjyqësor) –për gjyqtarët dhe KLP (Këshilli i Lartë i Prokurorisë)- për Prokurorët. Ndërsa detyrën e Komisionerëve Publikë do ta kryente Kryeprokurori i SPAK, Arben Kraja. Duket sikur ligjvënësi i kishte parashikuar me detaje edhe mundësinë e moszbatimit në kohë të rivlerësimit nga organet e rivlerësimit (KPK dhe Komisioneri Publik).
Dje u vendos që ky nen të ndryshohet. Pra, mos të merren organet e reja të Drejtësisë me rivlerësimin (vetingun) por tu zgjatet mandati edhe 2.5 vjet të tjera atyre ekzistuese. Me fjalë të tjera, e njëjta trupë e KPK dhe dy Komisionerët Publikë të vazhdonin punën deri në fund të vitit 2024 (edhe 30 muaj të tjerë pas mandatit të parë).
PD bashkoi të gjitha votat e saj me të maxhorancës duke siguruar kështu 119 vota nga 94 të domosdoshme për ndryshimin e Kushtetutës.
Në pamje të parë duket si një vendim i drejtë. Proçesi i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve nxori nga sistemi shumicën e tyre (sipas statistikave të publikuara të IKP (Institucioni i Komisionerëve Publikë) në periudhën Shkurt 2018-Janar 2022 janë rrëzuar 301 prokurorë gjyqtarë nga 493 të tillë që kanë kaluar në filtër. Matematikisht i bie të jenë rrëzuar 61,05% . Kanë mbetur pa rivlerësuar edhe rreth 308 subjekte rivlerësimi (gjykatës, prokurorë). Ky është një numër shumë i madh subjektesh të parivlerësuar, i pamenduar në momentet kur u miratuan ndryshimet kushtetuese. Organet e parashikuara në atë kohë për të përfunduar rivlerësimin (KLGJ, KLP dhe SPAK) të përballojnë një intensitet të kaq të lartë dhe ekziston mundësia që Reformat ë ketë dy standarte gjykimi. Ky është një arsyetim i pranueshëm nga pikëpamja logjike.
Por përpara se të bënin këtë votim Opozita duhej të kërkonte kohë dhe llogari organeve të vetingut. A e kanë realizuar me paanshmëri dhe objektivitet detyrën për të cilën janë ngarkuar? Pse nuk e përfunduan në kohën e përcaktuar në mandatin kushtetues këtë detyrë por kërkojnë shtimin e afateve të reja? A ka pasë ndikim politik në këtë rivlerësim siç akuzohet me zë të lartë në të gjitha ambientet e drejtësisë dhe në opinionin publik?
Procesi i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, i realizuar nga lart poshtë ka krijuar një boshllëk të frikshëm në sistem. Mali i dosjeve nëpër gjykata është i paimagjinueshëm. Standartet e rivlerësimit kanë qenë shumë të larta dhe janë perceptuar shpesh si mënyra për të hequr qafe aktorë të caktuar. Ka pasë mjaft debate publike, akuza, kundërakuza. Dy anëtarë të KPA-së, shkallës më të lartë të gjykimit, (Luan Daci dhe Ardian Hajdari) kanë rezultuar me probleme të theksuara me ligjin dhe janë ndëshkuar nga kolegët e tyre. Drejtësia për qytetarin që halli e çon në Gjykatat Shqiptare do vite e vite të vijë.
Këto janë probleme të theksuara të Reformës. Përpara se të jepte votën për zgjatjen e afatit PD duhej të ngrinte zërin. Të kërkonte llogari dhe jo pazar, unë të jap votën për këtë ti më jep për atë gjënë tjetër. Reforma në Drejtësi ka qenë një mekanizëm i frikshëm për të hequr bashkë me të inkriminuarin, të korruptuarin, të paaftin edhe të ndershmin e papëlqyer. Ka raste plot. Edhe ata kanë pasur nevojën e avokatisë dhe askush më mirë sesa opozita nuk mund ta bënte këtë gjë. Siç ka qenë instrument për të mbajtur në sistem të preferuarin e maxhornancës dhe duheshin denoncuar.
Kur proçesi i ndryshimeve kushtetuese u diskuatua në Komisione Parlamentar, rreth 3 muaj më parë, vetë autori kryesor I Reformës në Drejtësi, Fatmir Xhafaj deklaronte:
“Personalisht jam jashtëzakonisht i pakënaqur me ritmin e punës së KPK-së dhe të vetë ONM-së (Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit) në këtë proces. Cilat janë garancitë që ne kemi për të pasur një ritëm shumë më të mirë në këtë proces? Cilat janë instrumentet dhe garancitë për të forcuar paanshmërinë dhe objektivitetin e vendimmarrjes? Sot ka shumë diskutime për këtë çështje. Ka edhe raste kur vihet në diskutim paanshmëria e disa vendimmarrjeve të Komisionit të Posaçëm.”
Lulzim Basha duhej të bënte të paktën kaq sa tha Fatmir Xhafa atëherë, të kërkonte llogari për çfarë ishte bërë deri tani dhe të bënte një skanim të problemeve. Por në vend të kësaj Basha tha:
“Trekëndëshi i Bermudës, Edi Rama i pari, Sali Berisha dhe Ilir Meta kanë bërë gjithçka që ONM të largohet nga Shqipëria dhe Vetingu të shkojë në drejtim të paditur” (komunikim me gazetarët përpara seancës plenare dt 10 shkurt 2022)
Pra, Basha po thoshte se vota e PD-së po e shpëtonte Vetingun nga lufta e fshehtë që po i bënte Edi Rama. Kur dihej se Rama kishte deklaruar votën pro qysh në krye të herës dhe as nuk kishte pranuar negociata për këtë qëllim. Ky ishte një konspiracion që tejkalonte edhe fantazitë e më konspiracionistëve.
Ndërsa pretendimet e kundërshtarëve të tij se Basha duhej të votonte kundër vetingut janë jashtë realitetit. Qysh në Shtator, me përjashtimin e Berishës, ai ka vendosur të ndjekë linjën e amerikane pa kushte dhe raste të tilla janë të mezipritura. Ai do të votojë kundër çdo lloj bindjeje vetjake përsa kohë ajo bie ndesh me vullnetin e Ambasadores apo emisarëve të tjerë të DASH. Por të paktën të bënte sa Fatmir Xhafa, të kërkonte kohë për votën dhe llogari për gjërat që nuk shkojnë me proçesin. /Gazeta Express/