IDE, 10 Janar 2023, 15:31

A është korrupsioni më i madh se GDP-ja e Shqipërisë?!

A është korrupsioni më i madh se GDP-ja e Shqipërisë?!

Në vitin 2019, Banka Botërore dhe BERZH kryen një sondazh gjithëpërfshirës për industrinë e ryshfetit në Shqipëri. Rezultatet e vrojtimit e nxorën Shqipërinë si vendin e dytë me normën më të lartë të ryshfeteve në botë, duke e renditur vetëm pas Zambias. Sipas databazës jopublike të studimit, në Shqipëri një biznes paguan mesatarisht 3.1 % të xhiros si ryshfet për zyrtarët e shtetit.

Në vitin 2019, xhiro totale e bizneseve në Shqipëri, sipas Institutit të Statistikave, ishte 17 miliardë euro. Meqenëse 3.1% e kësaj shume është dhënë si ryshfet, rezulton se vetëm në atë vit zyrtarët publikë morën të paktën 520 deri në 530 milionë euro ryshfet nga biznesi.

Sot qeveria është në vitin e dhjetë në pushtet. Matematika e pamëshirshme thotë se 10 vjet here 520 milionë euro bëjnë mbi 5 miliardë euro. Iku 30 për qind e GDP-se se një viti.

Por ryshfetet janë vetëm njëra nga format, përmes të cilës qeveritarët dhe funksionarët e shtetit përfitojnë para në mënyrë të paligjshme. Një tjetër formë është ajo e përvetësimit direkt të pasurive publike, kryesisht sipërfaqe të mëdha tokash dhe trojesh në zonat bregdetare të vendit.

Së treti, janë përfitimet që vijnë drejtpërdrejt nga fondet buxhetore përmes tenderave që merren nga kompani të zotëruara nga njerëz të afërm apo familjarë të zyrtarëve.

Në fund ekziston dhe korrupsioni i nivelit të lartë përmes ortakërive të fshehta offshore në projektet e mëdha publike. Shqiptarët nuk e dinë se kush qëndron pas fantazmave të inceneratorëve, kush ishte pas guaskës së aeroportit në Hong Kong, apo së fundmi kush qëndron pas rrjetit të kompanive që morën Portin e Durrësit.

Flukset e parave që gjenerohen nga këto tre format e fundit te hajnise janë shumë të vështira për t’u llogaritur. Por sot ka evidenca të shumta publike se në Shqipëri zyrtarët i kane përdorur të gjitha. Ndaj pyetja që duhet të shtrohet tani nuk është më; a ka Shqipëria një qeveri dhe administratë të korruptuar? Pyetja reale që duhet të shtrohet është: A është Rilindja numerikisht më e madhe se GDP-ja?