IDE, 14 Nëntor 2022, 12:55

"Përbindëshat" e tjerë që po vijnë në Tiranë përpara zgjedhjeve lokale

"Përbindëshat" e tjerë që po vijnë në
Veliaj dhe Rama

Në krah të Sky Tower, në Bllok, aty ku sot është një parking dhe Vila Ferdinand, po vjen një 30 e ca katësh. Ky është në fazë të avancuar dhe me shumë gjasa është marre edhe leja e zhvillimit.

Më sipër, ngjitur me Katedralen tek ish-BKT, është dhënë miratimi për një 40-katësh. Kësaj iu bënë letrat sikur e dëmtoi tërmeti për t’i hapur rrugë kullës. Te të dyja këto kulla, ndërtuesi është i njëjtë.

Lart tek Kalaja e Tiranës, aty ku sot është Mileniumi, është në tentativë një tjetër kullë e madhe. Fati i kësaj është pak më i paqartë sepse është shndërruar në objekt sherri. Madje, bashkë me kullën "Eyes of Tirana", kjo e Mileniumit është një nga sebepet e tronditjeve në tregun mediatik dhe përmbysjeve dramatike editoriale.

Të tjerë, 60-katësh tashmë janë publikë. Me pak fjalë Tirana po kërcënohet nga një vale e re e madhe betonizimi në zonat ku dendësia e popullsisë është në nivele të rekordit botëror. Ajo që po ndodh është ndërtimi i një qyteti, sipas modelit brazilian të favelave, por edhe më i frikshëm, sepse këtu favelat janë me shumë kate.

Për shkak të këtij kërcënimi, kandidatëve për kryetarë bashkie u duhet bërë presion të pozicionohen dhe të qartësojnë programin e tyre në lidhje me këtë çështje. Angazhimet e tipit që, këtë do e vendosin ekspertët apo do ta shohim rast pas rasti, nuk mjaftojnë.

Secili prej kandidatëve duhet të bëjë të qartë pozicionin, do lejojë apo jo ndërtimin e kullave të tjera në qendër të Tiranës. Pastaj elektorati e ka të qartë dhe voton.

Nëse qytetarët janë dakord me këtë model të zhvillimit urban, e votojnë. Nëse jo, zgjedhin alternativën që u ofron një tjetër model. Por kjo duhet të jetë e qartë.