AKTUALITET, 11 Prill 2020, 13:05

I infektuar me koronavirus, dirigjenti i njohur shqiptar shërohet dhe del nga spitali: Më në fund në shtëpi


Dirigjenti i famshëm shqiptar Edmond Doko, ka qenë një nga personat e prekur nga koronavirusi në vendin tonë. Por pas trajtimit, ai ka lënë spitalin pasi është shëruar.

Lajmin për infektimin e tij me koronavirus, e ka publikuar vetë dirigjenti, i cili ka shkruar në Facebook se tashmë është shëruar dhe është kthyer në shtëpi. Në postimin e tij, dirigjenti i ka falenderuar të gjithë mjekët që kanë asistuar në shërimin e tij dhe miqtë që i kanë qëndruar pranë.

“Më në fund në shtëpi. Faleminderit shumë dhe mirënjohje pa masë për stafet e Cov 1 dhe Cov 2. Faleminderit të dashur kolegë, miq, të afërm dhe familjarë, që me interesimin tuaj më shtuat forcën, kurajon, vullnetin dhe besimin në përpjekjet për përballimin me sukses të betejës me sëmundjen. Për çdo të mirë uroj dhe lutem për të gjithë,”-shkruan dirigjenti shqiptar Edmond Doko.

Ndërkohë deri më tani në vend janë shënuar 433 të infektuar dhe 24 viktima, ndërkohë që 197 persona janë shëruar tërësisht nga pandemia. Deri më tani, të shtruar në spital janë 53 persona, dhe vetëm njëri është i intubuar. Ministria e Shëndetësisë sërish thirrje për respektimin e masave, ndërkohë që harta është riaktivizuar sërish Pukë, Lushnje, Fier e Krujë. Ndërsa Tirana dhe Shkodra, çdo ditë shënojnë raste të reja.