AKTUALITET, 30 Gusht 2018, 20:09

Hesht deputeti i akuzuar për lidhje me Shullazin, bëjnë deklaratë deputetet femra të PS-së

Hesht deputeti i akuzuar për lidhje me Shullazin, bëjnë

Partia Demokratike tha sot se sulmi ndaj gazetares Klodiana Lala lidhet me denoncimet që ajo i ka bërë lidhjeve të deputetit të PS-së, Jurgis Cyrbja me bandën e Emiljano Shullazit. Vetë deputeti i Durrësit, Cyrbja, s’ka bërë asnjë reagim der më tani, ndërkohë që nga selia rozë u shpërnda një deklaratë e grave deputete të PS-së. Ato solidarizohen me Klodiana Lalën dhe dënojnë ngjarjen e rëndë.

“Është e patolerueshme dhe e pafalshme që jo vetëm sulmohet një gazetare, por dhuna drejtohet edhe karshi familjarëve. Sulmohet një grua, e cila nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka ushtruar me profesionalizëm e ndershmëri misionin e gazetares. Sulmohet një nënë. Sulmohet liria e fjalës dhe e shprehjes. Ne, deputetet e Partisë Socialiste nuk e pranojmë dhunën dhe nuk heshtim ndaj akteve të tilla kaq të rënda”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.