AKTUALITET, 30 Maj 2018, 22:08

Grabitja e Bankës/ Prokuroria nuk kopjon dot DVD-në e provave

Grabitja e Bankës/ Prokuroria nuk kopjon dot DVD-në e provave

Pas Gjykatës së Tiranës, edhe Prokuroria e kryeqytetit rezulton e pazonja teknikisht për të kopjuar një DVD. Kopjimi i diskut që mban në brendi prova të Prokurorisë për procesin ndaj Roland Litit e Alan Babametos, të akuzuar për vjedhjen e një banke, u bë shkak për një tjetër shtyrje të këtij procesi.

Ndërsa në seancën e 2 Majit ishte Gjykata e Tiranës që nuk kishte mundësi teknike për kopjimin, këtë të mërkurë ishte prokuroria që pretendoi se nga tre DVD, kishte mundur të kopjonte vetëm dy prej tyre. Sipas prokurorit, vështirësia në kopjim vinte për shkak të programit të përdorur.

Disqet në fjalë përmbajnë të dhënat e nxjerra nga telefonat e sekuestruar të të pandehurve, komunikimet e bëra me SMS, komunikimet në aplikacione, fotografitë, apo vendndodhjet e herë pas hershme.

Pas këmbënguljes së njërit prej avokatëve, për të pasur në dispozicion të tre DVD-të, prokurori i tha gjykatës se do t’i drejtohet ekspertëve të laboratorit të Policisë Shkencore, për të bërë të mundur kopjimin e të dhënave direkt nga telefoni i sekuestruar. Prokurori nënvizoi se në DVD-në e tretë nuk ka materiale të vlefshëm për procesin dhe se ndërmarrja e këtij veprimi do të krijonte zgjatje të paarsyeshme.

Me gjithë këtë pretendim gjykata shtyu seancës, për të krijuar mundësinë e vendosjes në dispozicion të avokatët të materialit të kërkuar.

Të pandehurit Roland Liti dhe Alan Babameto akuzohen si autorët e vjedhjes së 8 gushtin 2016 të një banke tek ish-blloku. Ata dyshohet se morën gati 20 milionë lekë pasi depërtuan në bankë përmes një tuneli në murin anësor të dhomës kasafortës./abcnews.al