AKTUALITET, 15 Nëntor 2019, 15:28

Gjykata Kushtetuese nuk e njeh Arta Vorpsin, në listën e anëtarëve të rinj vetëm ata që u betuan tek Meta

Gjykata Kushtetuese ka reaguar pas miratimit të rezolutës nga Kuvendi. Përmes një njoftimi thuhet se mungon kuorumi për të marrë vendimet e duhura nga kjo gjykatë. Por ajo që bie në sy ndër të tjera është fakti se ky institucion njeh vetëm anëtarët e rinj të betuar tek Presidenti i Republikës, Ilir Meta. Në listën e publikuar në faqen zyrtare të Gjykatës mungon emri i Arta Vorpsit, ndërsa është përfshirë Marsida Xhaferllari.

Më poshtë reagimi i plotë:

Jemi njohur me Rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë sot, në datën 15.11.2019, për “Shmangien e krizës kushtetuese me synim legjitimitetin e Gjykatës Kushtetuese – detyrë imperative e organeve më të larta të shtetit”.

Në citim të Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë zgjidh mosmarrëveshjet kushtetuese dhe bën interpretimin përfundimtar të saj. Gjykata Kushtetuese i nënshtrohet vetëm Kushtetutës.

Për sa më sipër, lidhur me Rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, Gjykata Kushtetuese sqaron se, edhe pas plotësimit të disa prej vakancave në përbërjen e saj, nuk e ka ende kuorumin e nevojshëm për të shqyrtuar dhe vendosur në seancë gjyqësore lidhur me kërkesat që paraqiten përpara saj. Për këtë arsye ajo nuk mund të ushtrojë kompetencat e saj thelbësore apo juridiksionale lidhur me zgjidhjen e konfliktit të kompetencave midis pushteteve apo organeve kushtetuese, si dhe as ato kompetenca që lidhen me shqyrtimin e kushtetutshmërisë së akteve të nxjerra nga organet e pushtetit publik.

Në këto kushte, Gjykata Kushtetuese si një institucion i pavarur, duke zbatuar Kushtetutën dhe ligjin e saj organik dhe legjislacionin në fuqi, si dhe praktikat administrative të ndjekura ndër vite, me qëllim sigurimin e kushteve normale për mbarëvajtjen dhe mirëfunksionimin e veprimtarisë së saj, është duke ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme administrative formale për fillimin e detyrës së tri anëtarëve të rinj, pas betimit të tyre para Presidentit të Republikës.