TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Gjykata e Posaçme e Apelit ka prishur sot vendimin e shkallës së parë dhe ka rikthyer për gjykim dosjen në ngarkim të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Vendimi i sotëm vjen pas një seance që zgjati fare pak, në prani të ish-ministrit Tahiri dhe avokatit të tij mbrojtës, Maks Haxhia.
Trupi gjykues vendosi të rrezojë vendimin e shkallës së parë, pas të cilës nis një tjetër odise gjyqësore për ish-ministrin. Kujtojmë se Prokuroria kërkoi për ish-ministrin dënimin me 12 vite burg.
Seanca e shkuar u shty, pasi anëtari më i ri i trupës gjykuese të çështjes, Dhimitër Lara kërkoi më shumë kohe për të shqyrtuar dosjen. Ndërkohë që ish gjyqtarja e kësaj dosje Nure Dreni u rrëzua nga shkalla e parë e vetingut për disa pasaktësi në deklarimin e pasurisë.
Por çfarë ndodhi në seancën maratonë?
Seanca zgjati për rreth gjashtë orë, ku prokurorët Vladimir Mara dhe Dritan Prençi paraqitën akuzat ndaj ish-zyrtarëve Tahiri dhe Çela.
Prokuroria nuk u tërhoq nga akuzat e ngritura ndaj të pandehurve, ndërsa sërish kërkuan që Gjykata e Posaçme e Apelit të dënojë Saimir Tahirin dhe Jaeld Çelën me 12 vjet burg.
Përballë akuzave të Prokurorisë, Saimir Tahiri dhe avokati i tij, Maks Haxhia, kishin përgatitur një mbrojtje mbi 130 faqe, ku i lexuan ato përballë trupës gjyqësore, që përbëhej nga Albana Boksi, Nertina Kosova dhe Nure Dreni. Edhe në Apel, ashtu si te Shkalla e Parë nuk ka munguar as tabela, ku ish-ministri i Brendshëm shpjegoi argumentet e tij me data dhe vite se ku ka qenë për kohën që akuzohet dhe se përse pretendon pafajësi.
Ndërkohë, në seancë, të pranishëm, ashtu si herët e kaluara, ishin edhe përfaqësues të ambasadës së SHBA-së për të ndjekur procesin gjyqësor.
VENDIMI NË SHKALLË TË PARË
Më 19 shtator 2019, ish-Gjykata e Krimeve të Rënda i dha pafajësi Tahirit për akuzat e trafikimit të narkotikëve dhe grupit të strukturuar kriminal dhe e dënoi atë për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.
Trupi gjykues, i përbërë nga gjyqtarët Ardit Mustafaj, Irena Gjoka dhe Flora Hajredinaj, vendosi dënimin e Tahirit me 5 vjet burg dhe përfundimisht 3.4 vjet heqje lire për shkak të uljes së 1/3 nga gjykimi i shkurtuar.
Gjithashtu, Gjykata vendosi pezullimin e dënimit për tri vjet, duke e konvertuar atë me shërbim prove.
Në ankimin e kryer në ish-Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda, aktualisht shkalla e dytë e Gjykatës së Posaçme, Tahiri kundërshtoi edhe dënimin e dhënë nga Gjykata për “Shpërdorim detyre”.
Ankim kreu edhe ish-Prokuroria për Krime të Rënda, duke e kundërshtuar rrëzimin dhe ndryshimin e akuzave. Tahiri dhe ish-drejtori i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, u akuzuan nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për implikim në trafikun e narkotikëve, e kryer nga një organizatë e krimit të organizuar e drejtuar nga vëllezërit Habilaj. Anëtarët e organizatës së drejtuar nga vëllezërit Habilaj, kushërinj të ish-ministrit, u ndaluan në tetor të vitit 2017 nga autoritetet italiane dhe u dënuan në qershor të 2019-ës.
Ndërkohë, një proces paralel për ta filloi edhe në Shqipëri. Edhe çështja penale ndaj ish-ministrit Tahiri filloi në tetor 2017, pas publikimit të disa përgjimeve të anëtarëve të grupit “Habilaj”, të cilët përmendnin emrin e Tahirit dhe aludonin se i kishin blerë dhurata.
Gjatë kësaj periudhe, Prokuroria e Krimeve të Rënda e ka shtyrë pesë herë afatin e hetimeve, duke pretenduar se ishte në pritje të marrjes së letërporosive nga Italia dhe Mali i Zi. Tahiri ishte akuzuar edhe më herët për lidhje me vëllezërit Habilaj, me të cilët ka edhe një lidhje farefisnore dhe u kishte shitur një makinë, të cilën më pas e kishte ripërdorur, por një hetim mbi këtë u mbyll pa rezultat.