BOTA, 9 September 2026, 22:12

Konflikti në Lindjen e Mesme/ Trump: Lufta me Iranin do të përfundojë menjëherë pas zgjedhjeve të nëntorit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se lufta me Iranin mund të përfundojë menjëherë pas zgjedhjeve të mesit të mandatit, të cilat do të mbahen në nëntor.

Trump pretendoi se Irani po përpiqet të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve amerikane, duke argumentuar se Teherani nuk ka më mundësi ta vazhdojë përballjen.

“Ata nuk mund të rezistojnë më. Po përpiqen me dëshpërim të mbështeten te zgjedhjet”, u shpreh presidenti amerikan.

Trump la të hapur mundësinë e zhvillimit të negociatave me Teheranin, por bëri të qartë se nuk është i interesuar për një marrëveshje që do të kufizohej vetëm te programi bërthamor i Iranit.

Sipas tij, çdo marrëveshje e mundshme duhet të jetë më e gjerë dhe të përfshijë edhe çështje të tjera përtej programit bërthamor.

Presidenti amerikan parashikoi gjithashtu se pas zgjedhjeve të nëntorit pritet të ketë një rënie të çmimeve të karburanteve.

Trump: Putin dëshiron t’i japë fund luftës në Ukrainë

Duke folur për luftën në Ukrainë, Trump deklaroi se kishte zhvilluar një “bisedë të mrekullueshme” me presidentin rus Vladimir Putin.

Sipas presidentit amerikan, Putin dëshiron të arrijë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

“Ai dëshiron një marrëveshje dhe nëse Zelensky dëshiron të bëjë një marrëveshje, kjo do të ishte shumë mirë”, deklaroi Trump.

Trump ka përsëritur vazhdimisht se synon t’i japë fund luftës në Ukrainë përmes një marrëveshjeje, ndërsa ka bërë thirrje që Moska dhe Kievi të ulen në tryezën e negociatave.

Deklaratat e fundit të presidentit amerikan vijnë në një moment kur përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës vijojnë, ndërsa ende nuk është arritur një marrëveshje përfundimtare mes palëve.