AKTUALITET, 22 Shkurt 2019, 11:33

“Fundi i afërt dhe i rëndë”, Berisha me thirrje të fortë për socialistët: I thërrisni mendjes, se…

Duke përsëritur faktin se fundi i Ramës është i afër dhe do të jetë shumë i rëndë, ish-kryeministri Sali Berisha i është drejtuar sot me një thirrje të fortë socialistëve të largojnë një orë e më parë Ramën dhe klikën e tij.

berisha

 

“Cdo gjë ka një fund dhe ky fund është i afërt, me këtë rast unë u bëj thirrje, socialistëve, në interesin më të mirë të tyre dhe të vendit të largojnë me urgjence Edi Ramën dhe klikën e tij nga pushteti pasi e them absolutisht me bindjen më të thellë se urrejtja ndaj Ramës dhe regjimit të tij bëhet cdo ditë e më e pakufijshme. Unë kam konstatuar më datë 16 dhe dje në  masat e gjera protestuese atë urrejtje që e kam takuar vetëm në 1990-91 ndaj diktatorëve dhe diktaturës. Në këto kushte u bëj thirrje socialistëve mos e nënvlerësoni situatën se dënimi, mbarëpopullor për Ramën po afron e do të jetë i sigurtë e tepër i rëndë, t’i thërrasin mendjes”- tha Berisha.

Pyetur për apelin e SHBA dhe ndërkombëtarëve, Berisha ka deklaruar se kancelaritë e huaja duhet të vijnë e të shohin realitetin në vend.

“Ata nuk kanë qëllime të këqija, por të vijnë të shohin një realitet që do të jetë në shumë aspekte krejt tjetër”- tha ai.