AKTUALITET, 29 Mars 2018, 21:26

FSHF reagon për dënimin e Skënderbeut: Lajm i keq, mbështesim çdo vendim “Fair Play”

FSHF reagon për dënimin e Skënderbeut: Lajm i keq,

Federata Shqiptare e Futbollit ka reaguar për herë të parë zyrtarisht, pas dënimit të publikuar ditën e sotme për Skënderbeun, ku korçarët përjashtohen për 10 vite nga kompeticionet europiane. FSHF thotë se ditën e sotme është bërë me dije nga UEFA për këtë vendim, dhe se mbështet çdo vendim që i përket lojës Fair Play, por megjithatë vendimi është i apelueshëm.

Federata Shqiptare e Futbollit bën me dije opinionin publik se UEFA ka vënë në dijeni sot FSHF për vendimin e marrë nga ana e Komisionit të Disiplinës dhe Etikës pranë saj, për çështjen “Skënderbeu”.

Sipas vendimit të marrë, ky Komision ka dënuar skuadrën e KF Skënderbeu me 10 vjet mospjesëmarrje në kompeticionet europiane të futbollit, shoqëruar me një sanksionin financiar prej 1 mln euro.

Ky vendim është i apelueshëm. FSHF e konsideron këtë një lajm të keq për futbollin shqiptar, megjithëse ky nuk është një vendim përfundimtar, pasi do të kalojë edhe në shkallë të tjera të gjykimit.

FSHF mbështet çdo vendim që i shërben integritetit të lojës dhe Fair-Play-t!