AKTUALITET, 6 Dhjetor 2019, 19:19

FOTO/ Zbulohen imazhet, ja si ishte më parë pallati 6-katësh që mori shtatë jetë njerëzore

Një nga ngjarjet më të rënda të tërmetit që ndodhi në datën 26 nëntor ishte padyshim tragjedia në pallatin 6- katësh pranë Kryqit të Kuq në Durrës, ku humbën shtatë persona; katër në familjen Reçi dhe tre në familjen Meçaj.

ABC News ka siguruar foto nga pallati i tragjedisë para se të shembej. Sigurisht që organi hetimor dhe ato kompetente do të dalin në një konkluzion se çfarë ndodhi me pallatin që u shemb atë natë të tërmetit. Por në një pamje të parë pa dashur të bëjmë specialistin janë të dukshme ndërhyrjet në pallat kohë pas kohe që mesa duket kanë çuar në dëmtimin e rëndë të strukturës mbajtëse.

Gazetari Juxhin Mustafaraj ka siguruar për abcnews.al foton e pallatit 6 katësh në gjendjen e tij të mëparshme. Godina nuk duket të ketë probleme nga jashtë, ndërsa dyshohet se shkak për shembjen janë bërë ndërhyrjet në kolonat e tij nga biznese në katin e parë.

Pallati ishte i ndërtuar në vitin 1996 dhe për shkak të shkatërrimit ka dëmtuar kolonat e një tjetër godine aty pranë.

Në këtë pallat humbën jetën nga familja Reçi: Eduarti, Dolora, Klausi dhe Kristi, studente e Mjekësisë, po kështu në këtë pallat jetonin edhe Diena me vajzën e saj Esiela si edhe gjyshja e tyre.