AKTUALITET, 28 Tetor 2018, 13:19

Foto/ Qëlloi me armë makinën e policisë në Gjirokastër, autori është pjesë e forcave speciale greke

Një patrullë policie është qëlluar paraditen e sotme me armë zjarri, ndërsa ishte në ndjekje 35-vjeçarit Kostandinos Kaçifa.

Sipas policisë, i riu kishte qëlluar me armë zjarri në ajër gjatë festës së Greqisë në fshatin Bularat në zonën e Dropullit.

Pas këtij episodi policia ka shkuar për të arrestuar autorin, por ky i fundit ka qëlluar edhe makinën e policisë dhe më pas është larguar në drejtim të Greqisë.

Por kush është Kostandinos Kaçifa? Sipas mediave lokale në Gjirokastër, i riu është pjesë e forcave speciale në Gjirokastër. Së fundmi, po qarkullojnë edhe foto të të riut, i cili aktualisht është vënë në kërkim nga policia në bashkëpunim me forcat RENEA dhe Shqiponja.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 10:00 në krye të fshatit Bularat, shtetasi Kostandinos Kaçifa, rreth 35 vjeç ka qëlluar me armë zjarri në ajër.

Menjëherë në drejtim të vendit nga vinin të shtënat kanë shkuar shërbimet e Policisë të cilat ishin të dislokuara në qendër të fshatit pasi do zhvillohej aktivitet me rastin e festës së Greqisë.

Shtetasi Kostandinos Kaçifa sapo ka parë shërbimet e policisë që po afroheshin në drejtim të tij ka hapur zjarr me breshëri ndaj punonjësve të policisë duke rrezikuar jetën e tyre.

Fatmirësisht nga të shtënat nuk ka punonjës policie të plagosur, por vetëm është thyer xhami i mjetit të policisë.

Policia menjëherë ka rrethuar zonën ku përsëri ky shtetas ka hapur zjarr në drejtim të punonjësve të policisë që po e ndiqnin.

Shtetasi Kostandinos Kaçifa është futur në thellësi të fshatit ku forcat “Shqiponja” dhe shërbimet e tjera të Drejtorisë Vendore të Policisë vijojnë krehjen e zonës për të bërë të mundur kapjen e tij.

Në ndihmë të shërbimeve të Policisë së DVP Gjirokastër kanë shkuar forcat speciale Renea.

Shtetasi Kostandinos Kaçifa jeton në Greqi dhe ka rreth një javë që ka ardhur në Bularat.