AKTUALITET, 2 Shtator 2019, 18:48

FOTO/ Kombëtarja nis zyrtarisht përgatitjet me rikthime, grup i plotë dhe në formë për Edi Rejan

Kombëtaren shqiptare e presin dy ndeshje mjaft të vështira pasi pas pak ditësh do të përballet me Francën në transfertë dhe me Islandën në Shqipëri. Në prag të këtyre dy takimeve zyrtare, trajneri Edi Reja publikoi listën me futbollistët e grumbulluar.

Ditën e sotme, futbollistët janë bashkuar në Durrës, aty ku në kompleksin “Tropikal” kanë zhvilluar edhe stërvitjen e parë. Edi Reja mund të ndihet i qetë për momentin duke qenë se grupi kuqezi, është për momentin në gjendje të mirë optimale dhe nuk ka probleme fizike, ndërkohë që shumë futbollistë po kalojnë një moment të mirë me skuadrat e tyre.

Memushaj vazhdon të asistojë, ndërkohë që Balaj erdhi pas dy golave të shënuar në kampionat. Sakaq, titullarë kanë luajtur edhe Berisha, Strakosha, Gjimshiti, Kumbullua, Gjasula, Bare apo edhe Lenjani që arriti të shënonte një supergol ditën e djeshme.

Shqipëria do të zhvillojë disa stërvitje në Durrës dhe pas pak ditësh do të udhëtojë në drejtim të Francës aty ku do të luajë në Paris ndeshjen ndaj “Gjelave”. Të rikthyer në Kombëtare, janë Bare e Manaj ndërkohë që edhe Gjasula e Kumbulla janë afrimet e reja.